Në shënim të 25-vjetorit të masakrës në Nabërgjan të Komunës së Pejës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi lule në nderim dhe kujtim të të vrarëve nga forcat armike serbe.
“Kriminelët serbë vranë shumë shqiptarë, mirëpo ata nuk arritën ta shfarosin popullin tonë, gjenocidi tyre dështoi sepse ne jemi këtu dhe ata ikën”, deklaroi kryeministri Kurti, ka njoftuar zyra e kryeministrit.
Në nderim të 17 të vrarëve të datës 1 të muajit maj të masakrës në Nabërgjan, kryeministri Kurti theksoi se nga data 1 deri me 18 maj janë vrarë 31 shqiptarë, duke mos kursyer që nga fëmijët e moshës 13 vjeçe deri tek të moshuarit të moshës 95 vjeçare. Këta civilë të paarmatosur e të pambrojtur, gjendeshin përballë një makinerie ushtarake policore e cila po marshonte me projektin gjenocidal të ideuar, të planifikuar në Beograd nga regjimi i Millosheviqit,për shfarosjen e popullit shqiptar tha Kryeministri.
“Ata u vranë për shkak se ishin shqiptarë dhe donin të jetojnë të lirë në tokën e tyre”, tha kryeministri Kurti.
Gjatë homazheve ai vlerësoi edhe të arriturat e shtetit të Kosovës, pasi që Kosova u çlirua, u pavarësua, Kosova po zhvillohet e po përparon. “Buzëqeshja e fëmijëve sot, zhvillimi i Kosovës, përparimi i saj edhe brenda edhe në arenën ndërkombëtare, është për çdo ditë konfirmim i lirisë së Kosovës, i pavarësisë së Republikës, dhe i fitores tonë para 25 vjetëve”, është shprehur Kurti.
Tutje, ai përmendi edhe faktin që na nevojitet drejtësia sepse për 31 të vrarët në Nabërgjan, nga 1 deri më 18 maj 1999, sot e kësaj dite jo vetëm që nuk ka asnjë të dënuar, asnjë të gjykuar, por nuk ka asnjë të akuzuar, dhe për këtë fakt, siç u shpreh kryeministri na duhet drejtësia që të jemi të qetë, të jemi në paqe dhe të mbyllen plagët.
“Për këtë padrejtësi speciale që iu bë popullit tonë, pas 25 vjetëve ju bëjmë thirrje prokurorisë së shtetit, e në veçanti Prokurorisë Speciale që të akuzojë kriminelët për të cilët ka edhe dëshmi materiale, edhe dëshmitarë të gjallë, dhe dëshmi të intervistave të atyre që ishin dëshmitarë por që pas 25 vjetëve nuk janë më në mesin tonë” tha kryeministri.
Në përmbyllje teksa u shprehu ngushëllime familjarëve të të vrarëve mizorisht para 25 viteve, kryeministri tha se martirët dhe dëshmorët nuk janë vetëm të familjeve të tyre, por janë të historisë tonë kombëtare, janë të popullit tonë.
Në këto homazhe kryeministri Kurti, shoqërohej nga Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fatmire Mulhaxha Kollçaku dhe Gramoz Agusholli, si dhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi.