Policia e Kosovës përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë ka kryer dy aksione të cilat kanë rezultuar me sekuestrimin e mbi 7 kilogramëve të substancës së dyshuar narkotike të llojit heroinë, si dhe kokainë e marihuanë.
Përmes një komunikate për media, Policia njofton se në rastin e parë që u zbulua në Pikën e Kalimit Kufitar në Kullë, në një veturë janë gjetur dhe sekuestruar 12 paketime me heroinë, kurse të dyshuarit i janë sekuestruar dy telefona mobil dhe 585 euro para të gatshme.
“Hetuesit policorë nga Sektori Qendror në Prishtinë, në vazhdën e trajtimit të një rasti, kanë arritur ta identifikojnë një të dyshuar për përfshirje në trafikim me lëndë narkotike si dhe kanë siguruar të dhënat e veturës që përdorej nga i dyshuari.
Më 06.03.2024, rreth orës 19:00, në PKK-Kullë, kanë ndaluar veturën dhe gjatë kontrollit në brendësi të veturës janë gjetur dymbëdhjetë paketime, qe dyshohet të jenë substancë narkotike e llojit heroinë me peshë të përgjithshme 6314 gram (6 kg e 314 gr), kurse nga i dyshuar S.T., (viti i lindjes 1949, mashkull kosovar) janë konfiskuar edhe: dy telefona mobil dhe 585 euro. Policia, nën autorizimin e prokurores kanë kryer kontroll edhe në shtëpinë e të dyshuarit ku janë gjetur dhe sekuestruar edhe dëshmi tjera relevante për rastin, si: makineri për presimin e lëndëve narkotike, mikser për përzierje të substancës narkotike, 700 gr heroinë dhe dëshmi tjera. Mendohet se vlera e lëndëve narkotike të konfiskuara është rreth 175 000 (njëqind e shtatëdhjetë e pesëmijë) euro. I dyshuari është shoqëruar në polici, është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me aktvendim të prokurores ndalohet deri në 48 orë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërsa në rastin e dytë, është zbuluar se disa persona tre persona dyshohen për shitblerje të narkotikëve. Të njëjtit janë kapur me 17 gramë kokainë dhe 16 gramë marihuanë, ndërsa u janë sekuestruar 2 mijë e 335 euro.
“Po ashtu hetuesit nga sektori qendror, është trajtuar edhe rasti i dytë ku perms rrugëve operative hetimore janë siguruar informacionet se disa të dyshuar janë duke bërë shitblerje të narkotikëve. Policia ka identifikuar veturën me të cilën po lëviznin të dyshuarit të cilët, më 06.03.2024, rreth orës 16:00 në Prishtinë, janë ndaluar për kontroll. Gjatë kontrollit të veturës dhe personave që ndodheshin në të është gjetur substancë që dyshohet të jetë lëndë narkotike, (17 gr kokainë, 16 gr marihuanë) dhe 2.335 euro.
Policia ka siguruar urdhër-kontroll nga organet e drejtësisë dhe ka realizuar kontrollin në dy prona të të dyshuarit M.J., (viti i lindjes 1971, mashkull kosovar), ku janë gjetur dhe sekuestruar provat: dy qese (doza) me kokainë me peshë prej 2 gramëve si dhe një revole dhe një karikator me 6 fishekë. Gjatë operacionit policor janë arrestuar edhe: B.S., (viti i lindjes 1993, mashkull kosovar) dhe A.J., (viti i lindjes 1993, mashkull kosovar). Gjatë realizimit të këtyre rasteve, sektori qendror i hetimeve, ka bashkëpunuar ngushtë me zyrtaret kufitar, zyrtarët e rendit, njësitin me qenë- K9 dhe faraniken”, thuhet në komunikatë.