Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi së bashku me Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj, dhe prokuroren e PSRK-së, Ilirjana Çollaku-Tafa, kanë marrë pjesë në Forumin Konsultativ të kryeprokurorëve të përgjithshëm dhe kryeprokurorëve specialë të Ballkanit Perëndimor që është mbajtur në Budva të Malit të Zi.
Ata kanë zhvilluar takime me Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, Olsian Çela, Kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, dhe Kryeprokurorin Suprem të Shtetit të Malit të Zi, Milorad Markovic.
“Gjatë takimit me homologët e shtetit shqiptar – Prokurorin e Përgjithshëm, Çela dhe Kreun e SPAK-ut, Dumani, U.D. Kryeprokurori i Shtetit dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale i Republikës së Kosovës, patën diskutime të frytshme për tema të punës së përbashkët, përkatësisht ngritjen e nivelit të bashkëpunimit, koordinimit dhe efikasitetit në luftën kundër krimit dhe forcimin e sundimit të ligjit në të dyja shtetet”, thuhet në njoftimin e Prokurorit të Shtetit.
Po ashtu, U.D. Kryeprokurori Kelmendi dhe Kryeprokurori Isufaj, janë takuar edhe me Kryeprokurorin Suprem të Shtetit të Malit të Zi, Milorad Markovic, me të cilin kanë diskutuar për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit përmes nënshkrimit të memorandumeve si dhe për formimin e ekipeve të përbashkëta të hetimit me qëllim të luftimit të të gjitha formave të krimit.