Podujeva sot u trondit nga vrasja e rëndë që ndodhi në pikë të ditës, në rrugën “Zahir Pajaziti”, ku si pasojë e të shtënave me armë, një person mbeti i vrarë, teka gruaja e tij u plagos. Viktima Valmir Breznica u qëllua me armë zjarri, për motive akoma të panjohura. Policia në koordinim me Prokurorinë kanë nisur hetimet, ndërkohë që ende s’është kapur personi që e ekzekutoi të riun, raporton Gazeta Sinjali.
Personi që mbeti i vrarë Valmir Breznica, i cili njihej me nofkën “Dhija” nuk arriti t’iu bëjë ballë plagëve dhe ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ku ekipi mjekësor e ka konfirmuar vdekjen e tij. Ndërsa bashkëshortja e tij, e cila u plagos, është dërguar në spital për trajtim mjekësor.
Sinjalizuesit e Sinjalit kanë bërë me dije se gruaja që u plagos ka qenë bashkë me burrin e saj në momentin kritik, ashtu që posa ka nisur të vrapojë kur janë dëgjuar të shtënat, është qëlluar edhe ajo, por fatmirësisht ka shpëtuar.
Për këtë rast ka folur Mehmet Breznica, xhaxhai i viktimës, i cili u shpreh se do t’i studiojnë të gjitha rrethanat se si erdhi deri tek kjo situatë.
Teksa mes dhembjes, ai paralajmëroi edhe hapat e mëtejmë përmes dokeve të Kanunit.
”Tek ne është edhe një Kanun. E ai do të jetë shumë i keq”, ka deklaruar Breznica.
”Unë nuk kam vërejt asgjë të pazakontë. Me Valmirin, dhe me babën e Valmirit dhe me shoqen time, sot në mëngjes kemi dalë deri tek shitorja atje tek rruga e asfaltuar”.
Asgjë e jashtëzakonshme nuk ka qenë e pranishme tek Valmiri. Pastaj, pas një kohe do të kishte dy orë ose tri, unë isha në studio duke lexuar dhe më thërret një djalë i vëllait dhe më lajmëron”.
”Kam qenë i befasuar, nuk kemi ditë që ka pasë diçka”.
Jo, sepse sikur të kishte ndonjë problem kishim ndërhy ne të vjetrit. Edhe besoj që e kishim rregullu problemin. Ka mirëkuptim mes njerëzve të vullnetit të mirë. Nuk ka pasë asnjë problem”, tha Breznica për Klanin.
Lidhur me incidentin tragjik janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës, me ç’rast kanë bërë të ditur se po ndërmarrin veprimet e nevojshme për identifikimin e personave të dyshuar.
“Sot rreth orës 12:30, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para të marra nga mjekët emergjent është konfirmuar se një person është pa shenja jete ndërkaq një tjetër ka mbetur i plagosur.
Aktualisht policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e të dyshuarve.”, thuhet në përgjigjen e Policisë.