Të shtëna me armë e rrahje brutale në Prishtinë, tre persona sulmojnë një 32-vjeçar

Konfliktet mes të rinjve jo rrallëherë eskalojnë në përleshje fizike, ku përdoren mjetet e mprehta dhe armët e zjarrit. Motivet shpesh dalin të jenë banale dhe lidhen me probleme për të cilat ata nuk arrijnë të merren vesh dhe për pasojë futen në sherr. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë pak para mesnatës në rrugën “Astrit Rushi” në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se fillimisht ka pasur të shtëna me armë zjarri, e më pas viktima, një 32-vjeçar është sulmuar brutalisht nga tre persona, të cilët e kanë rrahur me mjete të forta. Për pasojë, i riu ka pësuar lëndime të rënda për çka përfundoi në QKUK.

Por si ndodhi rasti?

Pas denoncimit për gjuajtje me armë në, Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ku kapi në flagrancë një veturë duke u larguar, e të cilën e ndoqën derisa të dyshuarit arritën të ikin. Automjeti i të dyshuarve është konfiskuar dhe brenda tij u gjetën njolla gjaku, që dyshohen se kanë mbetur si pasojë e rrahjes.

Ndërkohë, njësitë policore kanë intervenuar në lokacionin ku dyshohet se ndodhi ngjarja, me ç’rast gjetën gjak gjithandej dhe një gëzhojë që u sekuestrua si dëshmi për rastin. Të njëjtat burime thonë se Policia ka kryer ekzaminimet e nevojshme dhe më pas ka marrë një deklaratë nga viktima, i cili po merrte trajtim në Qendrën Klinike Universitare.

Bazuar në dëshminë e viktimës, të dyshuarit e kanë sulmuar keq, për çka ai është detyruar t’iu nënshtrohet një intervenimi kirurgjik, teksa akoma nuk është zbuluar motivi i këtij incidenti.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar fillimisht si “Lëndim i rëndë trupor”, ndërsa kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e asaj që ka ndodhur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *