Paneli i Gjykatës Supreme pranë Dhomave të Specializuara në hagë, ka hedhur poshtë kërkesat e ish-krerëve të OVL UçK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, për mbrojtje të ligjshmërisë në bazë të nenit 48(6), (7) dhe (8) të Ligjit.
Paneli fillimisht refuzoi edhe kërkesën për mbajtjen e një seance gojore. Po ashtu u refuzua kërkesa e Gucatit që një i akuzuar tjetër, Dritan Hoxhaj të përfshihet si palë e tretë në këtë proces.
“Paneli konstatoi se Gucati nuk ka të drejtë ligjore ta paraqesë këtë kërkesë dhe shtoi se “Nuk i takon Gucatit të kërkojë të mbrojë interesat e perceptuara të një të akuzuari tjetër në kuadër të kërkesës së vet.” Sa u takon arsyeve konkrete mbi të cilat u bazuan kërkesat (7 nga secili parashtrues), Paneli i rrëzoi ato duke konstatuar se nuk është bërë shkelje e së drejtës penale dhe as shkelje thelbësore e procedurave nga ana e Trupit Gjykues dhe Panelit të Gjykatës së Apelit, ose duke i konstatuar ato të papranueshme”, thuhet në vendimin e Supremes.