Nënpunësit e ngarkuar në Ambasadat e Kosovës anekënd botës, atashetë, janë shprehur të dëshpëruar me pagat e shkurtit.
Indeksonline mëson se me ligjin e ri të pagave, këta zyrtarë të shtetit kanë marrë rrogë tejet të ulët.
Në një dokument, që ka parë Indeksonline, del se atashetë kanë marrë pagën e muajit shkurt 588 euro, nga 3000/3200 sa kishin më parë.
Atashetë e mbrojtjes rrogat e muajit të kaluar I kanë marrë vetëm si pagë bazë, pa kompensime të tjera.
Kësisoj, në përllogaritje I bie se është llogaritur paga bazë e gradës atashe (koeficienti 5.8). Kurse, rregullorja për atashe parasheh se paga dhe kompensimet tjera të jenë të barabarta me gradën ministër këshilltar (9.8 koeficienti).
Kujtojmë se dje, Ministria e Financave i ka ekzekutuar pagat e punëtorëve për të gjithë sektorin publik konform Ligjit të Pagave.
Punonjës të shumë institucioneve vazhdojnë të jenë të pakënaqur me koeficientet që u janë përcaktuar.
Ishte Sindikata e Policisë së Kosovës që u shpreh e pakënaqur me përmbajtjen e Ligjit, sidomos te shtesat e rrezikshmërisë dhe ato për punë jashtë orarit, për çka i janë drejtuar me ankesë Institucionit të Avokatit të Popullit.
“Kërkesa jonë tek Avokati i Popullit ka të bëjë kryesisht me rrezikshmërinë e punës në Policinë e Kosovës, me shtesat jashtë orarit të punës, me nivelimin e koeficienteve me FSK-në, sepse jemi dy institucione të sigurisë dhe në Ligjin e Pagave thuhet shumë mirë që për punë të njëjtë, pagë të njëjtë”, ka deklaruar për “Indeksonline”, Imer Zeqiri, kryetar i Sindikatës së PK-së. /Indeksonline/