Reuters: Kosova po shtyen përpara agjendat e saj me rregullat për licencimin e makinave të kundërshtuara nga serbët

Trupa paqeruajtës të NATO-s patrulluan të enjten në veri të Kosovës për të ruajtur qetësinë pasi Prishtina njoftoi se rreth 50,000 serbë etnikë në rajon do të duhet të ndërrojnë targat e veturave në ato lokale brenda dy muajve..

Shkruan Reuters:

Kosova, me popullsi kryesisht shqiptare, ka synuar që t’i detyrojë serbët ta pranojnë autoritetin e Prishtinës në çështjet rutinore burokratike që nga fitimi i pavarësisë më 2008 pas një kryengritjeje gati njëdekadëshe kundër sundimit shtypës të Serbisë, raporton agjencia “Reuters”.

Gjatë njoftimit për afatin e 31 tetorit për drejtuesit e automjeteve që t’i largojnë targat serbe për t’i vendosur ato që lëshohen nga Prishtina, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte përshkruar vendimin si “asgjë më shumë ose më pak sesa shprehje e ushtrimit të sovranitetit”.

Të mërkurën, presidenti serb, Aleksander Vuçiq, tha se ai nuk beson që është e mundshme një marrëveshje me Kosovën për këtë çështje. “Nga 1 shtatori, (Kosova) do të mundohet që t’i detyrojë serbët për t’i ndryshuar targat… Nuk mendoj se ata do të kenë sukses të madh”, tha ai para gazetarëve.

Përpjekja e vitit të kaluar për ta zbatuar licencimin e veturave u prit me protesta nga serbët në veri, të cilët përkrahen nga Beogradi dhe jetojnë afër kufirit të Kosovës me Serbinë. Tensionet u rritën përsëri muajin e kaluar, pasi Prishtina njoftoi se rregulla do të futet në fuqi më 1 shtator, duke i nxitur serbët etnikë që të vendosnin barrikada në rrugë.

Tensionet u lehtësuan, pasi Kurti, nën presionin e ShBA-së e BE-së, u pajtua që ta shtynte afatin e ndërrimit të targave. Barrikadat në rrugë u larguan nën mbikëqyrjen e NATO-s, që ka rreth 3.700 trupa paqeruajtëse në Kosovë.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, e cila refuzon që ta njohë Kosovën e pavarur dhe e sheh atë si pjesë integrale e territorit serb, tha të mërkurën se e ka shtuar trajnimin e disa trupave të vendosura afër kufirit me Kosovën.

“Trajnimi kryhet me qëllim për të mbajtur shkallë të lartë të gatishmërisë luftarake të njësiteve të përfshira dhe aftësinë e tyre për të reaguar shpejt në rast të nevojës dhe për të siguruar paqe e siguri përgjatë vijës administrative”, tha kjo ministri.

Megjithatë, gjeneral-major Ferenc Kajari, komandant i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, u mundua që ta largonte frikën për konflikt të menjëhershëm, pasi paqeruajtësit u shpërndanë nëpër zonë për ta parandaluar mundësinë e dhunës.

“Ne nuk shohim ndonjë lloj të shenjave as për përgatitje për luftë… Ata që mendojnë në mënyrë të përgjegjshme, nuk duhet të flasin për luftën”, tha Kajari të mërkurën në një intervistë për agjencinë “Reuters”.

Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, me përkrahjen e të dërguarve të BE-së dhe ShBA-së, deri më tani kanë dështuar që ta zgjidhin këtë çështje, ndonëse Beogradi dhe Prishtina javën e kaluar arritën një marrëveshje për përdorimin e dokumenteve personale të identifikimit.

Serbët përbëjnë pesë për qind të popullsisë prej 1.8 milionë banorësh të Kosovës. Serbia e akuzon Kosovën për shkelje të të drejtave të kësaj pakice etnike, akuzë e mohuar nga Prishtina.

Kosova njihet nga rreth 100 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe nga shumica e vendeve të BE-së, me përjashtim të pesë prej tyre. Sidoqoftë, Kosova nuk njihet nga disa shtete, përfshirë Rusinë e Kinën si më të rëndësishme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *