Rasti “Toka”, mbrojtja propozon që Nazim Bllaca të dëgjohet si dëshmitar

Mbrojtësi i të akuzuarit Vidosav Novakovic, avokati Fitim Malokaj, i ka propozuar gjykatës që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen Nazim Bllaca dhe Fatmir Prapashtica.

Një propozim të tillë, Malokaj e bëri në seancën e së premtes, në gjykimin ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Azem Syla dhe të tjerëve, të cilët po akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsionin e krimin e organizuar, në rastin e njohur si “Toka”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Malokaj këtë propozim e arsyetoi duke thënë se dëshmitari Prapashtica në kohën kur e ka dhënë dëshminë e tij i mbrojturi i tij Novakovic nuk ka qenë i pranishëm, e për arsye kërkoi që i njëjti të ballafaqohet me disa pyetje.

Ndërsa, sa i përket dëshmitarit Bllaca, avokati Malokaj tha se i njëjti ka deklaruar shumë të pavërteta në dëm të të mbrojturit të tij dhe në dëm të të akuzuarve tjerë, andaj ai tha se është me rëndësi që dëshmia e tij të jepet edhe një herë.

Lidhur me këtë propozim, prokurori special Naim Abazi, tha është e panevojshme edhe një herë t’i ftojnë këta dëshmitarë, pasi që sipas tij, gjykata edhe në seancat e kaluara ka bërë përpjekje të pamundur që t’i siguroj të njëjtit, i cili tha se përveç njërit që është dëgjuar, tjetrin nuk ka pasur mundësi që ta dëgjoj për shkak të mungesës së tij .

“Me qenë se njëri nga dëshmitarët bashkëpunues është dëgjuar edhe në shqyrtimin gjyqësor, në bazë të dëshmive të tyre, dëshmitarëve i janë dhënë mundësi të hetimit të veçantë, gjithashtu prokuroria ka parashtruar edhe kërkesën mbi bazën e pohimit që këto deklarata të këtyre dëshmitarëve të konsiderohen të lexuara, konsideroj që është e pa nevojshme edhe një herë t’i ftojmë këta dëshmitarë që të dëgjohen”, tha prokurori Abazi.

Pavarësisht kësaj, prokurori Abazi edhe një herë propozoi që deklarata e këtyre dëshmitarëve të konsiderohen të lexuara, pasi që sipas tij, deklaratat e tyre janë dhënë në dy mënyra pra, mënyra e parë deklaratat e tyre janë dhënë në mundësi të hetimit të veçantë dhe se prokuroria ka siguruar deklaratën mbi bazën e pohimit.

Dëgjimin e dëshmitarit Bllaca e ka kundërshtuar fuqishëm edhe mbrojtësi i të akuzuarit Shpresim Uka, avokati Afrim Salihu, për të cilin ai tha se ai është një dëshmitar i fabrikuar, i udhëzuar e i parapërgatitur nga ish-prUokurori serb Dragoljub Stankoviç.

“Me qenë se ky dëshmitar edhe paraqitet si person i cili është dëshmuar me fakte nga mediat se ka qenë bashkëpunëtorë i BIA-së serbe se sa do të ketë relevancë deklarata e këtij dëshmitari të fabrikuar, nga i cili s’kanë pësuar vetëm i mbrojturi im dhe të akuzuarit tjerë në këtë sallë, por, është dëmtuar edhe reputacioni i komplet shtetit tonë dhe UÇK-së”, tha avokati Salihu.

E mbrojtësi i të akuzuarit Avni Maxhuni, avokati Muhamet Humolli ka thënë se deklarata e dhënë në hetuesi e Nazim Bllacës është deklaratë e njëanshme, subjektive dhe e pa vërtetë, dhe i njëjti kërkoi të shpallet si provë e papranueshme.

Avokati Malokaj, gjithashtu i ka propozuar gjykatës që të mbrojturit të tij, Novakovic t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe e njëjta t’i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak, pasi që sipas tij, kanë pushuar të gjitha kushtet dhe arsyet mbi të cilat është caktuar dhe vazhduar kjo masë.

Ndërsa, vet i akuzuarit Novakovic lidhur me propozimin për ndërprerjen e paraburgimit tha se nuk ka ku të shkoj pasi që në Serbi ai tha se është shpallur armik.

“Qëllimi im është të kryhet ky hetim, nuk kam ku të shkoj sepse në Serbi janë shpallur si armik që jam pjesëtar i SHIK-ut dhe i UÇK-së që kam kryer gjenocid ndaj popullatës serbe”, ka thënë Novakovic.

Gjithashtu ai tha se, “Unë nuk jam kurrfarë krimineli, s’kam qenë kurrë dhe jam i gatshëm të bashkëpunoj dhe të kryhet një herë e përgjithmonë, që të vihet deri tek e vërteta e jo tek gënjeshtrat. Unë të gjitha i kam humbur për këtë Kosovë dhe s’jam më i keq se këta të tjerët që po lajmërohen në ftesat e gjykatës”, tha i akuzuari Novakovic.

E për ketë propozim, prokurori Abazi tha se tani për tani është më se e nevojshme masa e të akuzuarit e cila është ende në fuqi.

Lidhur me propozimin që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen Prapashtica dhe Bllaca, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arben Hoti tha se, gjykata do të vendos më vonë, ndërsa ka refuzuar propozimin e avokatit Malokaj për ndërprerjen e paraburgimit për të akuzuarin Novakovic.

Paraprakisht, në këtë seancë u konsideruan të lexuara deklarata e dëshmitarëve, Habib Caka, Kujtim Bucaliu, Sllobodan Kërstiq dhe Mehmet Nuredini.

Ndërsa, për dëshmitarin Shkëlqim Latifi u vendos që i njëjti të dëgjohet.

Ndryshe, më 17 nëntor 2022 është bërë veçimi i procedurës për të akuzuarin F.G, pasi që për të njëjtin ishte caktuar të përpilohej një ekspertizë psikiatrike dhe eksperti kishte konstatuar se ai nuk është në gjendje të përcjellë shqyrtimin gjyqësor.

Në seancën e 10 qershorit 2022, Azem Syla dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë.

Në këtë rast, F.G, ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla dhe të tjerët nga viti 2016 po akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsionin e krimin e organizuar.

Fillimisht në këtë rast kanë qenë 22 të akuzuar, ku për N.U., dhe Sh.M., është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të sigurojë prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura.

Gjykatësi më pas ka bashkuar procedurën penale ndaj Ilaz Sylës, i cili ka qenë i akuzuar në këtë rast.

Po ashtu, ka bashkuar procedurën edhe ndaj tani të akuzuarit Vidosav Novakovic, duke thënë se në këtë çështje penale do të merret një aktgjykim meqenëse sipas tij, janë provat të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.

Ndryshe, kjo lëndë fillimisht gjykohej nga gjykatësi Beqir Kalludra dhe pasi që gjykimi ishte afër përfundimit të tij, avancimi i gjyqtarit Kalludra kishte ndikuar që kjo lëndë të mbetej pa u përfunduar.

Gjykata Themelore në Prishtinë këtë lëndë më pas ia kishte ndarë në punë gjykatëses Shpresa Hasaj-Hyseni, e cila nuk kishte mbajtur asnjë seancë.

Por, edhe pasi rasti ishte pothuajse në përfundim, kur gjykohej nga gjykatësi Kalludra, i njëjti duhet të nis përsëri. Kjo pasi neni 311, paragrafi 3 i Kodit të Procedurës Penale përcakton se: “kur shtyrja ka zgjatur më shumë se tre (3) muaj ose kur shqyrtimi gjyqësor mbahet para një kryetari tjetër të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor duhet të fillojë rishtas dhe përsëri të shqyrtohen të gjitha provat”.

Duke u bazuar në Kodin e Procedurës Penale, të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe provave të tjera që janë shqyrtuar nga gjykatësi Kalludra, duhet që të shqyrtohen edhe njëherë nga fillimi nga kryetari i ri i trupit gjykues, Arben Hoti.

Ndryshe, ky shqyrtim nga fillimi i gjykimit është karakterizuar me zvarritje, në masën më të madhe, në kohën që gjykohej nga gjykatësit e EULEX-it.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, F.G, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj.

Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe N.U., Sh.M., Ilaz Syla, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të siguroi prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura.

Por, gjykatësi Hoti, jashtë seancës ka bashkuar procedurën për të akuzuarin Ilaz Syla dhe Vidosav Novakovic, ku për këtë të fundit ka thënë se provat janë të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *