Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndodhet në një vizitë në Britaninë e Madhe.
Gjatë bashkëbisedimit në auditorin e Institutit Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare “Chatham House”, Rama u pyet nga një ish-anëtar i Parlamentit Evropian për rolin e Shqipërisë në ndihmë të Kosovës.
Përdorimi i termit “Kosovo” ne pyetjen e ish anëtarit të PE-së ka sjellë reagimin e Ramës i cili i ka thënë ndër të tjera se “së pari nuk është Kosovo është Kosova, pasi Kosovo është mënyra sesi e thërrasin serbët kështu që ju avokatoni për pavarësinë e Kosovës dhe ju lutem e kërkoj me përulje nuk është faji juaj, pasi propaganda ka bërë punën e vet, pasi dhe unë ndonjëherë them Kosovo, por është Kosova”.
Rama theksoi se, Shqipëria dhe Kosova janë njësoj dhe janë një komb.
“Kosova nuk është vend mik, është një vend simotër, sivëlla, është gjithçka, pra ne jemi njësoj dhe për arsye të caktuara jemi një komb që jeton në dy shtete. Ne shqiptarët kemi dy shtete, 4 kryeministra në Ballkan diçka nuk duhet të funksionojë, por ja që kështu është. Ne bëjmë gjithçka mundemi që t’i ndihmojmë, sigurisht që mirëpresim gjithçka që ata mund të bëjnë për ne për të na ndihmuar. Ne jemi njësoj, thjesht kemi një kufi, kemi disa rregulla për të respektuar, por jemi njësoj”, u shpreh Rama.
/arbresh.info/