Qytetarët e Kosovës me kreditë më të larta në Evropë, kjo është shuma totale

Qytetarët e Kosovës i kanë borxh bankave komerciale 4.2 miliardë euro, deri sa vlera e depozitave ka shkuar në 5 miliardë euro.

Kështu thuhet në raportin “Raporti i Informatave Mujore të Sistemit Financiar, korrik 2022“, duke shtuar se shuma më e madhe e depozitave është te ekonomitë familjare, shkruan Telegrafi.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), bizneset kanë të depozituara rreth 1 miliard euro, me një rritje mesatare vjetore prej 10 për qind.

Për sa i përket kredive, për muajin korrik, ekonomitë familjare kanë mbi 1.5 miliard euro detyrime, deri sa korporatat jo-financiare kanë 2.6 miliardë euro borxhe.

Ndryshimi mesatar vjetor i kredive është 18 për qind, ku për individët është 17.1 për qind, për bizneset ishte 17.9 për qind dhe 68.6 për qind për korporatat e tjera financiare.

BQK thekson se rritja e kërkesës për kredi nga bizneset është nxitur kryesisht nga nevoja për financimin e kapitalit punues dhe investimeve fikse.

“Kërkesa për kredi nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme është rritur në nivel më të lartë se sa ajo nga ndërmarrjet e mëdha. Kjo rritje e kërkesës, sipas deklaratave të bankave, u nxit kryesisht nga rritja e kërkesës për financimin e inventarëve dhe kapitalit punues dhe për financimin e investimeve fikse. Pritjet për pasiguri të shtuara si pasojë e rritjes së vazhdueshme të nivelit të çmimeve në vend dhe jashtë tij i kanë ndikuar edhe pritjet e bankave të cilat deklaruan se presin rritje të ulët të kërkesës për kredi gjatë tremujorit të ardhshëm nga të dy kategoritë e ndërmarrjeve”, thotë BQK në raportin “Ankesa e Kreditimit Bankar, numër 11“, raporton Telegrafi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *