Prizren: Babë e bir e rrahin vajzën, e bëjnë për spital


Raste të dhunës ku viktima janë gratë, sa vijnë e shtohen çdo ditë e më shumë në vendin tonë.

Një rast i tillë ka ndodhur  dje në rrugën ‘Ismail Kryeziu’ në Prizren, ku një 19-vjeçare është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit, pasi dyshohet se është sulmuar fizikisht nga babai dhe vëllai i saj 17-vjeçar, raporton Sinjali.

Burime brenda Emergjencës bëjnë të ditur se e reja ka pësuar lëndime trupore në kokë, fytyre dhe ekstremitete. Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja e saj është stabilizuar.

Ndërkohë rasti është denoncuar edhe në Policinë e Kosovës, ku para hetuesve policorë 19-vjeçarja ka deklaruar se gjithçka ka ndodhur në shtëpinë në të cilën banon familja, ku sipas saj, babai dhe vëllai e kanë ofenduar e dhunuar fizikisht vajzën e re për arsye banale.

E njëjta ka bërë të ditur se lëndimet i ka marrë nga goditjet që i janë bërë me shuplaka, grushte e me pjata dhe gota qelqi.

Babë e bir të cilët janë recidivist të veprave të tilla, kanë përfunduar në prangat e Policisë dhe janë shoqëruar në stacion për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, prokurori ka nxjerrë aktvendim që dy të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *