Nuk janë të pakta rastet në Kosovë, kur viktima të dhunës në familje janë prindërit të cilët përjetojnë nga fëmijët e tyre dhunë psikike e fizike. Një rast i tillë ka ndodhur të mërkurën në rrugën “Xhevat Berisha të Prishtinës, raporton Gazeta Sinjali.
Një 35-vjeçar ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij 54-vjeçare, e cila është detyruar ta denoncojë në Polici.
Ai po dyshohet se e ka sulmuar fizikisht nënën, duke e goditur me grushte dhe si pasojë i ka shkaktuar lëndime trupore, për çka ajo ka marrë trajtim mjekësor në spital.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku para hetuesve ka dhënë deklaratë për denoncimin kundër tij.
Pas përfundimit të procedurave, prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 35-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.