Prishtina, Gjilani e Vushtrria shkojnë në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës

Prishtina, Gjilani dhe Vushtrria janë kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.

Bardhekaltrit e fituan atë që u konsiderua si finale para finales kundër Ballkanit, të cilin e mundi me rezultat 2:0.

Golin e parë për kryeqytetasit, në ndeshjen që u zhvillua në Lipjan e realizoi Kreshnik Uka në minutat shtesë të pjesës së parë.

Kurse, golin e dytë dhe të qetësisë për prishtinasit e shënoi Genc Hamiti në fillim të 45 minutëshit të dytë.

Therandasve iu anulua një gol në pjesën e parë shkaku i pozitës jashtë loje, ndërsa i patën edhe disa raste të mira shënimi.

Nga ana tjetër, prishtinasit e qëlluan tërthorësen në pjesën e dytë.

Kështu, vazhdoi kriza e Ballkanit, i cili i ka pësuar dy humbje dhe i ka tri barazime në pesë ndeshjet e fundit.

Ndërkohë, Gjilani e mposhti Trepçën ’89 me rezultat thellë në stadiumin “Riza Lushta”, në një fushë të rënduar dhe aspak të përshtatshme për lojë.

Pesë gola për gjilanasit i shënoi lojtari në super-formë, Albert Dabiqaj.

Ndërkaq, golin e pamjaftueshëm për mitrovicasit e shënoi Ardian Muja.

Ndërkohë, Vushtrria e preu biletën për në gjysmëfinale pasi e mundi Beharin me rezultat 1:0 falë golit të Shpresim Zogut.

Ndeshja mes Llapit dhe Malishevës shkoi në vazhdime pasi loja e rregullt u mbyll 2:2.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *