Kuvendi i Kosovës po mban seancë ku në rend të ditës janë 11 pika. Mes tyre, ajo për deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare.
Anton Quni, deputet i LDK-së, gjatë diskutimeve jashtë rendit të ditës në seancën e Kuvendit të Kosovës, foli për prokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Duke treguar se e njeh Isufajn nga kohërat e vështira, deputeti Quni, duke iu referuar luftës, u bëri thirrje qytetarëve që një prokuror si ai të respektohet pavarësisht, deklaratave të zyrtarëve shtetërorë.
“Ai përkundër mandatit të tij dhe autorizimeve ligjore, u përfol dhe u etiketua si shantazhues, sabotues, tekanjoz deri te përmasat e një mostrumi anti-kombëtar”,tha Quni.
“Jam dëshmitar se si Blerimi me uniformën e UÇK-së i doli Zot atdheut. Ishte shembull i mirë i bashkëluftëtarit. Asnjë moment trishtimi, edhe kur e shihte vdekjen me sy. Ai vazhdoi një luftë tjetër kundër kriminelëve po aq të rrezikshëm për jetën e tij në mbrojtje të rendit dhe ligjit”.
Por ndaj këtyre deklaratave, reagoi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Nuk e kuptoj se çfarë zori duhet ta ketë një subjekt opozitar të dalë në Kuvend dhe ta ndihmojë një kandidat për kryeprokuror te shtetit”, tha ministrja Haxhiu në Kuvend.
“Cili është zori që e ka LDK-ja?”, pyeti ajo, duke shtuar se -“është e rëndësishme të jeni transparent dhe jo ta akuzoni qeverinë për procesin në të cilin ka kaluar ky kandidat”.
Ndërkohë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi se gjatë kësaj kohe është rritur luksi pushtetar.
“Jemi në fillim të majit e zakonisht në qershor përgatitet rishikimi i buxhetit”, tha ai.
Ai tha se Qeveria ka kohë që ua ka hequr rrezikshmërinë Policisë së Kosovës. ”Logjika e tillë është e pakuptimtë. Deri në qershor kërkoj nga qeveria që të bëjë një plan qe buxhetin e paraparë për pagat”.
E deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, foli për lirinë e mediave. Sipas saj, pushteti aktual po bën përpjekje të jashtëzakonshme për të përmbytur demokracinë.
“Për çështjen e KPM-së ka reaguar edhe sekretari i Federatës së gazetarëve”, tha Deliu-Kodra.
Sipas saj, nëse e krahasohet me rajonin, klima e të bërit gazetari në Kosovë është më e mirë, por prej vitit 2017 ka shtim të sulmeve ndaj gazetarëve.
“Qeveria Kurti do të mbahet mend si qeveria më e mbyllur ndonjëherë. Kjo kapje e institucioneve e minon demokracinë”, tha ajo.