Nga sekuestrimi i pasurisë te sherri pas shuplakës në “Big Brother”, çfarë ndodhi me Kejvinën pas përfundimit të lojës

“Big Brother”-i i Kejvinës mbaroi me skualifikimin e saj nga shtëpia e “Big Brother”, pas shuplakës që i dha Luizit. Por, duket se ky skualifikim nuk u prit shumë mirë nga modelja, e cila reagoi menjëherë. “Kishte dhunë verbale dhe psikologjike nga ana e Luizit. Unë nuk po justifikoj veprimin tim, sepse nuk është diçka për t’u bërë, por përpara aktit tim, djali në fjalë më ka dhunuar psikologjikisht dhe verbalisht.

Çfarë donte ai? Donte këtë? Njeriu në fjalë ka ndikuar që ditët e para që kemi ardhur, ka marre vëmendjen për këto gjera. Nuk është bërë asgjë për veprimet që ka bërë. Iki që këtu me kokën lart”, kanë qenë fjalët e Kejvinës pas komunikimit të vendimit.

Duke ironizuar produksionin, Kejvina la shtëpinë duke thënë “Faleminderit”, si dhe “Kështu respektohen femrat në Shqipëri”. Por, teksa nga të gjithë pritej prania e saj në studio, modelja mungoi, duke shtuar dyshimin për një konflikti edhe pas kamerave. E në fakt situata ka qenë disi e tensionuar, pasi modelja pasi ka lënë shtëpinë ka vijuar me akuzat drejtuar produksionit, për faktin se ishte vetëm ajo e penalizuara dhe jo Luizi. Autorët kanë tentuar ta qetësojnë përpara se ta ngjisin në skenë, por situata nuk ka ndryshuar pas disa ndërhyrjesh.

Në këto kushte, autorët kanë vendosur në momentet e fundit të anulojnë praninë e saj në studio. Duket se këto përplasje kanë bërë që banorja mos të ishte prezente në spektakël, duke rrezikuar që të njëjta deklarata të forta t’i bënte edhe përpara kamerave. Në momentet e fundit është anuluar prania e saj në studio, derisa situata të qetësohej. Edhe regjisori i “Big Brother Vip”, Eduart Grishaj, foli rreth mungesës së Kejvinës në studio.

“Nuk erdhi në studio se ishte e ngarkuar, por kemi folur tani është mirë dhe do të vijë”, u shpreh Grishaj. Por, teksa pritej që modelja të ishte prezente në spektakël për të rrëfyer versionin e saj të historisë, duket se tensionet kanë vijuar, duke përjashtuar përfundimisht Kejvinën nga mundësia për të qenë në studio për të folur rreth asaj çfarë ndodhi. Por, vetë modelja vendosi të flasë në rrjetet e saj sociale, duke thyer kështu edhe kontratën me produksionin. Kejvina Kthella ka reaguar për herë të parë, pas daljes nga shtëpia e “Big Brother Vip”.

Ajo e ka cilësuar si një çmendinë qëndrimin në shtëpinë e famshme të BBV. Të vetmit që u ka kërkuar falje janë fansat e Luizit, për të cilët thotë se janë të vetmit që janë lënduar seriozisht prej shpullës dhe sjelljes së saj ndaj këngëtarit. “Jeta vazhdon … edhe nëse ‘vdesim’! Nuk jam penduar që hyra në BBV2. Që dola, sigurisht që nuk jam penduar, kurrsesi! Shpulla që unë qëllova Luizin, jo vetëm që nuk i shkaktoi dëm as plagë atij, përkundrazi, më ndihmoi edhe mua të dilja prej asaj ‘çmendine’! Në fakt, shpulla ime mbështolli me mjegull ‘rrenën’ e shekullit dhe që u shndërrua në lojë, ndërsa shpulla ime u gjykua si të ishte bomba e Hiroshimës! Meqë Luizi, lavdi Zotit gëzon shëndet të plotë dhe sukses të jashtëzakonshëm, falë aftësive dhe vullnetit të tij, mua më mbetet që t’i kërkoj falje publikisht vetëm fansave dhe mbështetësve të Luizit, meqë në fakt të vetmit që seriozisht janë lënduar prej shpullës dhe sjelljes sime, janë vetëm ata, Fansat!”, ka shkruar Kejvina në një postim në “Instastory”.

Fill pas kësaj deklarate, modelja ka mbyllur llogarinë e saj në “Instagram”, duke e mbyllur kështu njëherë e mirë kapitullin e “Big Brother” dhe gjithçka që lidhet me të. Nuk dihet nëse do të ketë penalitete për të, për faktin që nuk iu përmbajt kontratës, megjithatë vetë ish-banorja nuk e ke kursyer ironinë në statusin e saj. Por, duket se “telashet” e modeles shkojnë edhe përtej “Big Brother”. Ditët e fundit një gjyq po mbahet ku kërkohet edhe konfiskimi i makinës së saj.
SPAK-u ka kërkuar konfiskimin e pasurive të shpërndara të Redjan Rrajës te personat e tjerë. Modelja Kejvina Kthella ka në përdorim një makinë tip “Audi A8”, që në pronësi figuron të jetë e saj, por që dyshohet se i është dhuruar nga ish i dashuri. “Kërkohet sekuestrim i automjetit me ngjyrë gri të tipit ‘Audi A8’, sekuestruar shtetases K. K. por që është në zotërim të tërthortë të shtetasit R. Rraja”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. E teksa seanca është shtyre, bëhet me dije se vetë Kejvina nuk ka marrë pjesë. Nga ajo çfarë mundëm të mësonim, bëhet me dije se Kejvina është larguar nga vendi, për t’i shpëtuar zhurmës mediatike, por edhe për të kaluar disa kohë relaksi, pas vështirësive që ka hasur javët e fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *