Edhe në Podujevë nuk po zhvillohet procesi mësimor pasi që mësimdhënësit e shkollave në këtë komunë janë futur në grevë.
Grevës iu kanë përgjigjur edhe mësimdhënsit e Shkollës Fillore “Kongresi i Manastirit” në Gllamnik të Podujevës.
Muhamet Maloku kryetar i shoqatës sindikale të kësaj shkolle theksoi për KosovaPress se të gjithë mësimdhënësit e shkollës “Kongresi i Manastirit”, iu kanë përgjigjur grevës.
“Edhe sot po vazhdon unanimisht nga të gjithë mësimdhënësit greva nga të gjithë mësimdhënësit e shkollës “Kongresi i Manastirit”. Ne jemi 36 anëtarë, janë 52 mësimdhënës në listë, të gjithë e kanë përkrahur grevën dhe janë nënshkruar në listë”, tha ai.
Komuna e Podujevës qeveriset nga partia në pushtet, Vetëvendosje, por mësimdhënësi Maloku ka thënë se nuk kanë pasur presion nga komuna e as nga prindërit që mos të futen sot në grevë.
“Jo, fatmirësisht nuk kemi pasur presion as nga niveli komunal e as nga prindërit, por as ne si sindikatë nuk kemi bërë presion mësimdhënësve. Të gjithë janë futur në grevë me dëshirë për të realizuar një kërkesë e cila është legjitime. Duke ditur se rritja e inflacionit është e madhe, kërkesa e SBAShK-ut për 100 euro është mëse legjitime. Edhe ne nuk jemi për grevë… Dëshira jonë është që greva të përfundojë qysh sot, mirëpo kjo varet shumë nga reflektimi i qeverisë që mësimi të fillojë për nxënësit”, theksoi ai.
Kryetari i sindikatës së SBAShK-ut për Podujevë, Fadil Halimi ka thënë për KosovaPress se të gjithë mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme janë futur në grevë në Podujevë.
Halimi ka thënë se vetëm në shkollën e Batllavës, mësuesit e ciklit të ulët kanë punuar, por jo edhe arsmitarët e kësaj shkolle.
“Deri tash sa kam informacione, në grevë janë të gjitha shkollat e qytetit dhe fshatrave. Shkollat e mesme, çerdhet, me përjashtim të shkollës së Batllavës, ku vetëm mësuesit e ciklit të ulët nuk janë në grevë, do të thotë kanë punua”, tha ai.
Greva e BSPK-së dhe SBAShK-ut ka nis nga data 25 gusht e që po vazhdon me kërkesat për ndarjen nga 100 eurove deri në miratimin e Ligjit të pagave.