Mbledhje urgjente në Prokurori, kjo ishte arsyeja

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi, ka mbajtur takimin e radhës së Kolegjiumit të kryeprokurorëve të prokurorive të vendit, në të cilin morën pjesë kryeprokurorët, të deleguarit e prokurorive përkatëse dhe prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Në këtë takim u raportua me radhë nga përfaqësuesit e të gjitha prokurorive për rrjedhat e punës, ku në fokus ishin raportimet për rastet e dhunës në familje dhe rastet e dhunës seksuale në Republikën e Kosovës.

Lidhur me këto raste, bazuar në shifrat zyrtare, kryeprokurorët raportuan për prokuroritë që ata drejtojnë, dhe, me këtë rast, u diskutuan çështjet dhe praktikat që kanë të bëjnë me veprimet procedurale dhe ligjore në trajtimin e rasteve penale, konkretisht atyre të dhunës në familje dhe dhunës seksuale.

“Pjesë e diskutimit ishte edhe trajtimi adekuat me anë të mekanizmave institucionalë të rasteve me ndjeshmëri të lartë publike, duke reflektuar gjithnjë në të drejtat e viktimave, të drejtat e të pandehurve dhe të drejtat e të miturve në procedurë penale, përfshirë edhe ato të personave me çrregullime mendore”, thuhet në njoftim.

Kryeprokurori Kelmendi, kërkoi nga të gjithë që çdo lëndë të trajtohet me përgjegjësi të lartë, të përfaqësohet dhe të mbrohet me dinjitet dhe profesionalizëm pranë secilës instancë gjyqësore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *