Mbi 70 mijë euro të falsifikuara në tregun e Kosovës për dy muaj

Mbi 70 mijë euro është vlera e parave të falsifikuara, të cilat janë hedhur në qarkullim në tregun kosovar vetëm brenda dy muajve të parë të vitit 2023, krahasuar me vitin 2022 që ishte rreth 22 mijë euro.

Kartëmonedha më e falsifikuar, sipas të dhënave të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë (AKF), të cilat i janë dërguar Dukagjini ka qenë ajo prej 100 eurosh dhe 50 euro, ndërkaq prej monedhave, ato që kanë dominuar më shumë kanë qenë 2 euro dhe 1 euro.

Shumat në vlerën 500, 200 dhe 20 euro e më poshtë përbëjnë një numër shumë më të vogël të kartëmonedhave të falsifikuara.

Bazuar në raportet e fundit të pranuara nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, në muajin janar dhe shkurt të vitit 2023 janë identifikuar një numër prej 1 mijë e 48 kartëmonedhash dhe 717 monedha të falsifikuara.

Ndërsa, shuma e tyre ishte rreth 68,960.00 euro (para letre), përkatësisht 13.000 euro (para metali). Pjesa më e madhe e këtyre kartëmonedhave dhe monedhave janë konfiskuar nga institucionet financiare gjatë aktivitetit të tyre të rregullt.

Zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), bëjnë me dije për Portalin Dukagjini se falsifikimi i parave është një krim që vazhdimisht paraqet rrezik për ekonominë e çdo vendi pa përjashtim dhe është burim i humbjes financiare për shoqërinë.

Zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti, ka thënë se kartëmonedhat dhe monedhat e paraqitura tek institucionet financiare, që dyshohen të jenë false, duhet të tërhiqen nga qarkullimi dhe menjëherë t’u dorëzohen autoriteteve përgjegjëse për këtë qëllim sipas rregulloreve të Bankës Qendrore.

“Më konkretisht, sipas Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Nenit 19 – Valuta false, kartëmonedhat dhe monedhat e paraqitura tek institucionet financiare, që dyshohen të jenë false, duhet të tërhiqen nga qarkullimi dhe menjëherë t’u dorëzohen autoriteteve përgjegjëse për këtë qëllim sipas rregulloreve të Bankës Qendrore dhe në përputhje me çdo dispozitë tjetër ligjore”, ka thënë Ahmeti.

Ndërkaq, sipas tij, roli dhe kompetencat e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në luftën kundër parave të falsifikuara janë përfshirë më tepër në rregullimin dhe nxjerrjen e rregulloreve për institucionet financiare që kryejnë shërbime me para të gatshme, rregulloret që përcaktojnë detyrimet për këto të fundit si dhe veprimet që kërkohen të ndërmerren kur zbulojnë një kartëmonedhë apo monedhë të dyshuar së është e falsifikuar.

Po ashtu, Ahmeti ka dhënë detaje edhe për obligimet e institucioneve financiare ndaj menaxhimit të situatave me valuta të falsifikuara.

Për më tepër, sipas zëdhënësit të BQK-së, në kuadër të kompetencave të saj, Banka Qendrore e Kosovës rregullisht furnizon sektorin bankar me të gjitha prerjet e monedhave euro, për të stimuluar tërheqjen e monedhave dhe për të lehtësuar aksesin e furnizimit të bizneseve dhe qytetarëve në bankat komerciale.

“Tarifat për tërheqje të monedhave është 0.00% (falas) edhe përkundër faktit që ky funksion është i përcjellë me një kosto evidente për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, ka thënë tutje Ahmeti.

Si në çdo shtet tjetër edhe në Kosovë, falsifikimi i parave është vepër penale dhe sanksionohet sipas nenit 302 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës të dërguara për veprën penale të “falsifikimit të parave” janë regjistruar 804 raste, ndërsa në vitin 2023 janë regjistruar për dy muaj 95 raste.

Policia e Kosovës nuk e ka dhënë vlerën e parave të falsifikuara që janë konfiskuar gjatë këtyre operacioneve të organeve të rendit.

Por, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur dy rastet e fundit të operacioneve të ndara që kanë të bëjnë me veprën penale, falsifikim i parave.

Një aksion ishte zhvilluar të enjten, më 16 mars, në Gjilan në kuadër të luftimit të parave të falsifikuara, dhe rreth 3 mijë euro të falsifikuara janë konfiskuar nga Policia e Kosovës dhe i dyshuari është arrestuar.

Falsifikimi i monedhave, Sveçla: Prodhimi dhe qarkullimi i tyre fakt shqetësues.

Një aksion i Njësitit policor kundër krimeve ekonomike ishte zhvilluar të enjten, më 16 mars, në Gjilan në kuadër të luftës kundër parave të falsifikuara, ku nga Policia e Kosovës janë konfiskuar rreth 3 mijë euro të falsifikuara dhe i dyshuari është arrestuar.

Po ashtu, dy ditë para këtij rasti, Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në kuadër të Policisë së Kosovës kishte kryer me sukses një operacion që rezultoi me arrestimin e dy personave, sekuestrimin e parave të falsifikuara dhe sekuestrimin e pajisjeve të përdorura për prodhimin e tyre.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla “Dukuria e prodhimit dhe futjes në qarkullim të monedhave të falsifikuara vazhdon të mbetet fakt tejet shqetësues, përveç që një akt i tillë është edhe vepër penale. Policia e Kosovës dhe akterët e tjerë të sigurisë janë të angazhuar maksimalisht në lokalizimin dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë aktivitet ilegal, ka thënë Sveçla.

Në kuadër të luftimit të këtij problemi, Banka Qendrore e Kosovës në vitin 2015 bashkë me Policinë e Kosovës kishin themeluar Komitetin kombëtar për luftimin e parave false.

Në maj të vitit 2022, Portali Dukagjini ka raportuar se blerja e parave të falsifikuara është bërë hapur para shumë njerëzve, pasi ky fenomen është shfaqur edhe në rrjetin social Tik Tok, i cili po përdoret në masë të madhe nga shoqëria kosovare.

Në janar të vitit 2012, Kosova kishte konvertuar monedhën e saj, duke kaluar nga monedha gjermane (DEM) në monedhën euro.

Në atë kohë, Banka Qendrore e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, mori angazhime të veçanta në fushën e arsimit dhe luftës kundër parave të falsifikuara, si dhe themeloi Komitetin Kombëtar për luftën kundër parave të falsifikuara./JOQKosova/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *