Marrëveshja në Ohër, kush fitoi dhe kush humbi

Kosova dhe Serbia të shtunën janë pajtuar të shtunën në Ohër për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dyja vendeve.

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Gjersa, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë rend dite në takimin e Këshillit Evropian, që zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel, analisti thotë se marrëveshja në Ohër është fitore e BE-së dhe SHBA-së.

Fatmir Sheholli, analist politik në një prononcim për Gazeten Neutral, thotë se Kosova dhe Serbia, nuk janë as fituese, e as humbëse në marrëveshjen e pajtuar në Ohër.

I pyetur nëse me marrëveshjen në Ohër, e ka njohur Serbia Kosovën, Sheholli përgjigjet negativisht.

“ Marrëveshja e Ohrit është fitore e BE dhe SHBA. Kosova dhe Serbia nuk janë as fituese, as humbëse. “Vetëmenaxhimi” është autonomi menaxhuese për serbët e Kosovës dhe ai nuk mund të bashkohet me një shtet tjetër. Kosova me marrëveshjen e Ohrit nuk është njohur nga Serbia”, pohon Sheholli.

Në anën tjetër, marrëveshja në Ohër është mirëpritur nga vendet tjera, së fundmi janë Emiratet e Bashkuara Arabe që e kanë mirëpritur atë.

Ambasadorja Lana Zaki Nusseibeh, Ndihmës Ministre për Çështjet Politike dhe Përfaqësuese e Përhershme e Emirateve të Bashkuara Arabe në Kombet e Bashkuara në New York, vlerësoi marrëveshjen e arritur për zbatimin e planit europian, duke theksuar se ajo përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të paqes dhe sigurisë rajonale, si dhe ndërkombëtare.

Në këtë drejtim, ajo theksoi mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe për të drejtën ndërkombëtare, veçanërisht respektimin e sovranitetit të shteteve, mosndërhyrjen në punët e brendshme dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve, raporton agjencia e lajmeve të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *