Policia e Kosovës, ka arrestuar postierin e Postës i cili dyshohet se keqpërdori detyrën zyrtare, duke e larguar një zarf nga zyra e postës në mënyrë të kundërligjshme.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, gjegjësisht Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë (Departamenti i Krimeve të Rënda), sot me datë 21.03.2023, pas disa veprimeve operativo/taktike dhe hetimore, përmes hetueseve kompetent policor kanë arrit të sigurojnë informata dhe prova për zyrtarin e postës (postierin) i cili gjatë orarit të punës, dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme kishte larguar një zarf nga zyra e postës”, thuhet në komunikatën për media.
Sipas kësaj komunikate, dyshohet se në zarf kanë qenë disa fotografi të ndjeshme.
“Mbi bazën e dyshimeve Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, ka arritur të identifikoj të dyshuarin dhe në konsultim me Kryeprokurorin e PTH në Prishtinë, i dyshuari është shoqëruar në polici për intervistë në cilësinë e të dyshuarit, përderisa në cilësinë e dëshmitarit është intervistuar edhe një person tjetër”, thuhet në komunikatë.
Për këto veprime zyrtari i postës me iniciale (M.R,) dyshohet se ka kryer veprën penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së.
Në konsultim dhe koordinim me Prokurorin Kujdestar nga PTH në Prishtinë, është lëshuar Vendim mbi ndalimin e të dyshuarit dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme.