Miroslav Lajçak, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk duhet të shihet nga Kosova si dobësim i funksionalitetit të saj. Sipas tij, janë 16 modele ekzistuese funksionale që mund të shihen si modele për të drejtat e minoriteteve dhe se të gjitha janë në përputhje me standardet evropiane.
Në një intervistë për “Atlantic Council”, Lajçak ka thënë se për Asociacionin Kosova dhe Serbia duhet të bien dakord se si do të jetë e se si nuk duhet të jetë.
“Nuk duhet të kemi frik nga diçka që s’është ende në agjendë, në procesin e dialogut. Kosova dhe Serbia janë palë të barabarta. Asnjëra palë s’mund të imponojë vullnetin e saj ndaj palës tjetër kundër vullnetit të saj”, ka thënë ai duke shtuar se si ndërmjetësuese BE-ja është “garantuese që çka do që pajtohet duhet të jetë në përputhje me standardet evropiane”.
“Po flasim me partnerët tanë për modele ekzistuese që po forcojnë funksionalitetin e shteteve dhe jo dobësimin, prandaj mendojmë se s’duhet të ketë frikë. Askush s’ka për interes të dobësojë funksionalitetin e Kosovës. Duhet ta shohim jo si kërcënim a dënim a kompromis, por obligim në njërën anë dhe duhet të shihet edhe si ndërtim i mirëbesimit të serbëve të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës dhe definim të qartë të raporteve të Qeverisë së Serbisë me serbët e Kosovës sipas standardeve evropiane”, ka deklaruar më tej Lajçak.
Ai ka thënë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka thënë se Asociacioni mund të bëhet por se duhet marrë parasysh gjetjet e saj. Sipas tij, këto parametra duhet të definohen në dialog. Lajçaku ka përsëritur se Asociacioni është obligim ekzistues që e pret Kosovën që 10 vjet për implementim. E ka vlerësuar këtë çështje si diçka që mund të bëhet, edhe pse ka shtuar se e sheh si sfidë.
Lajçaku e ka vlerësuar lartë pajtimin e Kosovës dhe Serbisë për përmbajtjen e Planit evropian të hënën. Ai ka thënë se tash u takon palëve të merren vesh se si të implementohet propozimi. Ai ka konfirmuar se aneksi i zbatimit, si dokument në vete, është pjesë e pandashme e marrëveshjes dhe është shprehur optimist se do të ketë marrëveshje së shpejti.
“Është diçka që mund të bëhet”, ka thënë ai duke shtuar se liderët e dinë rëndësinë e pajtimit për shtetet dhe rajonin.