Kurti: Pajtohemi pothuajse gjithmonë, por SHBA-ja s’mund ta përfaqësojë Kosovën e as unë SHBA-në

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur për marrëdhëniet mes Qeverisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raporton Gazeta Sinjali.

Në një intervistë të gjatë për Zërin e Amerikës, ai ka theksuar se pothuajse pajtohet gjithmonë me SHBA-në duke shtuar se ka takime të rregullta me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffery Hovenier.

Megjithatë, Kurti vlerësoi se as ai s’mund ta përfaqësojë ShBA-në e as ambasadori amerikan e DASH-i s’mund ta përfaqësojnë Kosovën.

Unë nuk e ndjej këtë, përkundrazi, unë kam takime të rregullta me ambasadorin amerikan për çdo javë dhe jemi vazhdimisht në kontakt e në komunikim dhe pothuajse gjithmonë pajtohemi, por jo gjithmonë, sepse unë nuk mund t’i përfaqësoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ambasadori amerikan dhe as sekretari i shtetit apo departamenti i shtetit nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën”, ka thënë Kurti.

Sipas kreut të ekzekutivit kosovar, Kosova udhëhiqet nga idealet amerikane, por duhet mbrojtur shteti, populli dhe historia edhe më shumë sesa që e bën këtë kushdo tjetër.

“Ne udhëhiqemi nga idealet amerikane, mirëpo kjo është Kosovë dhe ne duhet ta mbrojmë shtetin tonë, popullin tonë, historinë tonë edhe më shumë sesa që e bën këtë kushdo tjetër. Pra, ne nuk mund të presim që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta mbrojnë Kosovën në diskurs edhe më shumë sesa vet ne, përkundrazi ne duhet që për Kosovën të kërkojmë edhe më shumë sesa kushdo tjetër, edhe më shumë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Kurti.Sinjali

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *