Kryetari i Prishtinës: 28 Nëntori, testament i qëndrueshmërisë së shqiptarëve

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka mbajtur seancë solemne me rastin e Ditës së Flamurit. Pavarësia e Shqipërisë më 28 nëntor 1912, u konsiderua si vlerë e të gjithë popullit shqiptar, e cila është fituar me shumë përpjekje dhe vuajte brezash.

Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, tha se 28 Nëntori është një testament i gjallë i qëndrueshmërisë së shqiptarëve.

“28 Nëntori për ne është shumë më shumë sesa një tjetër datë. Është një testament i gjallë i qëndrueshmërisë sonë. Është kronika e betejave që i kemi zhvilluar është shpallje e pavarësisë dhe është festë e lirisë që e kemi aq të shtrenjtë. Në këtë kuqi e zi që na mbështjell të gjithë tokën tonë dhe më tej që sot valvitet kudo që tubohen shqiptarët, ne kthehemi në protagonistë që transmetojnë një simbol të fuqishëm. Ky është manifestimi kolektiv i identitetit tonë”, tha ai.

Ndërkaq, kryesuesi i asamblesë, Pëllumb Bajqinovci, tha se liria e arritur më 28 Nëntor është vlera dhe pasuria më e çmuar e shqiptarëve.

“Liria e arritur është vlera jonë dhe pasuria jonë më e çmuar e shoqërisë sonë, e cila nuk falet, dhurohet por është fituar me shumë përpjekje dhe vuajtje brezash. Gjatë të kaluarës së vështirë, shqiptarët arritën që denjësisht të mbrojnë kombin e tyre duke ruajtur edhe gjakun e paraardhësve ilir”, theksoi ai.

Në anën tjetër një fjalë rasti e pati edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, i cili tha se kjo ditë është simbol i bashkimit të shqiptarëve dhe testament i sakrificave të bëra nga brezat e kaluar.

“Kjo ditë ka një rëndësi të thellë për të gjithë shqiptarët, pasi ne përkujtojmë frymën e lirisë dhe unitetit që ka përcaktuar historinë tonë të përbashkët. Ndërsa mblidhemi këtu në Komunën e Prishtinës mua më kujtohet qëndrueshmëria dhe forca e treguar nga populli i Kosovës gjatë gjithë rrugëtimit të tij drejt Pavarësisë. Sot ne jo vetëm që festojmë Pavarësinë e Shqipërisë, por solidarizohemi me vëllezërit dhe motrat tona në Kosovë të cilët kanë treguar gjithmonë vendosmëri dhe guxim të palëkundur. Dita e Pavarësisë së Shqipërisë është më shumë se një ngjarje historike. Është simbol i shpirtit të qëndrueshëm që na bashkon si popull, një testament i sakrificave të bëra nga brezat e kaluara”, theksoi Malaj.

Ditën e Flamurit e kanë uruar edhe krerët institucional në Kosovë, derisa edhe kanë bërë homazhe në kompleksin memorial Adem Jashari në Prekaz./kp/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *