Jasharaj për blerjen e librave nga prindërit: Shokuese

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, tha se deklarata e ministres së Arsimit Arbërie Nagavcit se prindërit do të detyrohet që t’i blejnë vet librat është shokuese.

Jasharaj tha se me pagat që prindërit kanë një pjesë shumë e madhe e tyre nuk do kenë mundësi t’i blejnë librat për fëmijët e tyre.

Sipas tij, edhe mësimdhënësit do jenë të ngarkuar emocionalisht e do të kenë halle e stres për këtë shkak.

Jasharaj tha se ishin në pritje të një propozimi më të mirë, por krejt çka i’u servua doli të jetë mosfurnizim me libra nga MAShTI.

“Deklarata e saj ka qenë goxha shokuese, kur them shokuese, për ne posepo sepse ne përfaqësojmë mësimdhënësit dhe ata në ditët e para të mësimit do të jenë në halle e do të jenë në stres, madje do të jenë të ngacmuar edhe emocionalisht ngase një pjesë e nxënësve do t’i blejnë librat sepse prindërit e tyre kanë më shumë mundësi ndërsa një pjesë tjetër do ta kemi pa tekste shkollore. Duke i krahasuar dy konferencat për media të zonjës Nagavci sepse ajo nuk ka takime me SBAShK-un, nuk pranon takime edhe pse ne disa herë kemi kërkuar takime që të bisedojmë jo vetëm me MAShT-in por të jemi bashkë edhe drejtoritë komunale të arsimit edhe prindërit edhe asociacioni i komunave, të shohim se çfarë po bëjmë bashkë me shkollën në Kosovë e cila është në gjendje goxha të vështirë”.

“Ajo nuk ka pranuar të takohet dhe duke i krahasuar dy konferencat për media, i falënderoj mediat të cilat së paku ato po na mundësojnë të dimë çfarë po thotë ministrja jonë. Kemi parë dy dallime në deklarata. Deklarata e parë që ne e kundërshtuam ishte nga klasa e parë deri në të pestën libra falas dhe do të shpërndahen nëpër shkolla, ndërsa nga klasa e gjashtë në të nëntën le të gjinden si të duan mësuesit me ato librat e vjetra. Ne pritëm diçka më të mirë në konferencën e djeshme, e ndodhi një lajm shokues ku ajo thotë se ka telashe se gjoja shtëpitë botuese i kanë ngritur çmimet pa pritur e pa kujtuar dhe ua la tërë barrën në ditët e fundit prindërve të cilët do të presin se shtëpitë botuese a do t’i dërgojnë librat në librari dhe këta me ato pak paga që i kanë besoj një pjesë e madhe e prindërve do të ndihen në siklet sepse nuk kanë mundësi të blejnë libra sepse nuk janë përgatitur për këtë sfidë”, u shpreh Rrahman Jasharaj.

Jasharaj konsideron se i vetmi fajtor për këtë situatë është Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Ai shtoi se përderisa në shtetet e tjera mikpriten pajisjet digjitale, projektorët e laptopët, në Kosovë sipas Jasharajt duhet të llogaritur nëse do të ketë libra falas.

Ai, mosbashkëpunimin me Ministrinë e sheh si shkollë e mendësi të vetë kryeministrit Albin Kurti, sepse sipas Jasharajt është pikërisht ai që nuk ka dashur të takohet me sindikatat, e i ka injoruar e linçuar këto të fundit.

“Dhe unë e kam thënë dhe po e them se i vetmi fajtor për këtë situatë është MASHT-i, gjegjësisht zonja Nagavci dhe kabineti i saj ngase me ditë e me muaj kishin punuar një ligj e një projektligj për tekstet shkollore, kishin paraparë në publik edhe tekste digjitale sa për tu lavdëruar, dhe në fund jo që nuk patëm tekste digjitale, por ja që në shekullin 21 në shtetet e tjera i duartrokasin kur i dërgojnë më shumë laptopë e më shumë projektorë ndërsa ne kemi ardhë në një situatë që të gëzohemi nëse zonja Nagavci e ndërron qëndrimin e saj dhe thotë ja mëshira ime po thotë që disa libra do t’i falim dhe disa të tjera jo, pra është një veprim i pamatur, i papjekur dhe e tregon edhe një herë se zonja Nagavci ka dëshirë të veprojë ashtu siç i teket pa komunikuar me palët e tjera dhe unë e pashë edhe kryetari i Këshillit të Prindërve që reagoi, e reagoi edhe z.Sazan i cili është drejtor i Asociacionit të Komunave të Kosovës, pra shkolla fillore dhe të mesme është pjesë e komunave dhe duhet të pyetemi dhe të diskutojmë të gjitha palët siç ka qenë dikur traditë kur para fillimit të vitit shkollor jemi ulur mbase edhe jemi përplasur e kritikuar por gjërat i kemi bërë bashkë, dhe jemi munduar t’i bëjmë bashkë”.

“Zonja Nagavci nuk do bashkëpunim, i ikë dialogut dhe kjo është shkollë si duket edhe e kryeministrit Kurti i cili kështu i ka shkolluar sepse edhe ai kurrë nuk ka pasur dëshirë që të takohet me sindikatat madje i ka injoruar e madje i ka quajtur edhe me fjalë ofenduese, cinike e ironike”, tha Jasharaj për EO.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *