Ish-kryeinspektori Topalli rrëfen se çka gjeti në dhomën e burgut të Astrit Deharit, flet edhe për një dëshmitar

Ylber Topalli, i cili së fundmi u shkarkua nga pozita e kryeinspektorit të Ministrisë së Drejtësisë, ka rrëfyer për herë të parë se çka gjeti në dhomën e burgut të Astrit Deharit, gjatë inspektimeve.

Topalli ka treguar se në dhomë janë parë disa zhiletë për rrojë, që ai tha që s’duhet të kishin qenë aty pasi, siç deklaroi ai, Dehari disa herë ka tentuar ta lëndonte veten.

“Në dhomë janë gjetur bica të rrojës, që praktikisht nuk guxojnë me pas bica, sepse i ndjeri ka tentu njëherë me bica me ba vetëvrasje, me pre veten me lëndu veten, është e rëndë për opinionin publik, por opininoi duhet me ditë, shenjat janë. Pastaj prej momentit kur një i burgosur vendoset vetë në dhomë, oficerët janë të obliguar me ardhë kohë pas kohe me shiku, ose duhet ta qëndroj dikush brenda”, ka thënë ai në RTV Dukagjini.

Ish-kryeinspektori bëri të ditur se, gjatë inspektimeve, janë vërejtur edhe shumë shkelje procedural nga zyrtarët korrektues.

“Ka pasur një sërë shkeljesh procedurale të imëta, për të cilët kemi gjetur fajtorë zyrtarët korrektues. Nuk kemi gjetë në asnjë element, diçka që e ka nxitë të ndjerin për të ndërmarrë ndonjë veprim, ndonjë ngacmim prej stafit, ose presion prej stafit”, shtoi ai.

Topalli ka rrëfyer edhe për një dëshmitar, që thotë se ka qenë i pozicionuar në një dhomë afër Deharit. Sipas Topallit, ky dëshmitar ka treguar se kishte dëgjuar disa zhurma për gati 3 minuta, që vinin nga dhoma e të ndjerit.

“Nuk ka pasur asnjë lëvizje, është shkelje sepse oficeri është dashtë të lëvizë, aty nuk ka qenë jo vetëm Astriti, në dhomën dy ka qenë në dhomën pranë një i burgosur tjetër që nuk ka dalë për shëtitje. Unë e kam deklaratën e tij, të shkruar, i kam të gjitha dëshmitarëve që kanë qenë në dhomë, të cilët e përshkruajnë rastin prej momentin që kanë ardhë dhe e kanë gjetur në dhomë. I burgosuri pranë që ka qenë, e përshkruan rastin se kam dëgjuar disa rrapëllime që kanë ngjasuar sikurse në rrëzime e kcime dhe ka zgjatur 3 minuta dhe ka qenë heshtje totale, zhurma është dëgju përsëri kur kanë ardhë të burgosurit dhe e kanë hapur derën dhe e kanë parë gjendjen e Astritit ashtu”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *