Gjashtë javë para liberalizimit të vizave, rritet interesimi i qytetarëve për pasaporta

Në muajin e fundit është rritur numri i qytetarëve të cilët kanë shprehur interesim për t’u pajisur me pasaporta. Kjo për shkak se nga 1 janari i vitit të ardhëm, qytetarët e Kosovës mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen. Kërkesat për pasaporta janë rritur edhe nga qytetarët e pjesës veriore të vendit.

Numri i përgjithshëm i pasaportave të lëshuara në katër komunat veriore është 5 mijë 800.

Zëvendësuesi i drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë për Regjistrim Civil, Blerim Camaj në një intervistë për KosovaPress, ka bërë të ditur se numri i aplikantëve për pasaporta në Kosovës ka shënuar rritje të konsiderueshme.

Ndërsa, për qytetarët në veri, Camaj thekson se një mijë persona kanë aplikuar më shumë për pasaporta, krahasuar me vitin e kaluar 2022.

Camaj theksoi se interesimi i qytetarëve për pasaporta ka të bëjë drejtpërdrejt me liberalizimin e vizave të parashikuar të nisë më 1 janar të vitit të ardhshëm.

Camaj bëri të ditur se në muajin e fundit janë pajisur me pasaporta 25 mijë e 126 qytetarë, duke shënuar një rritje prej 7 mijë e 300 krahasuar me vitin e kaluar.

Gjithashtu, Camaj u shpreh se Agjencia e Regjistrimit Civil ka mjaftueshëm materiale për të trajtuar këtë rritje të kërkesave dhe se janë të përgatitur për të shërbyer qytetarët brenda afateve kohore dhe në përputhje me ligjin.

Ndërkaq, në katër komunat e veriut në vend, shifrat tregojnë se rreth pesë mijë pasaporta janë lëshuar për qytetarët. Megjithatë, sipas tij, kërkesat vazhdojnë të rriten ‘duke theksuar nevojën për një përgjigje efikase nga institucionet kompetente”.

Më 18 prill të këtij viti Parlamenti Evropian miratoi vendimin që qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë në vendet e BE-së nga 1 janari i vitit 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *