Gjatë ditës së djeshme Policia ka arrestuar një 49-vjeçar në Pejë pasi u denoncua për dhunë në familje dhe sulmoi dhe zyrtarët policorë.
Fillimisht babai i tij ka njoftuar stacionin policor se i biri po ushtron dhunë në familje dhe pasi njësitet policore dolën në vendin e ngjarjes, situata shkoi dhe u tensionua.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se në momentin që Policia arriti në shtëpinë e të dyshuarit, i njëjti u gjet lakuriq teksa lëvizte nëpër oborrin e shtëpisë, teksa kishte sjellje agresive.
Për të mos lejuar që të përshkallëzohej situata, Policia ka tentuar ta fus nën kontroll të dyshuarin, por ka hasur në rezistencë, pasi ai po dyshohet se ka sulmuar zyrtarët policorë. Në pamundësi të arrestimit të tij, patrulla ka kërkuar asistencë ka disa njësi tjera me ç’rast i dyshuari është kapur.
Sipas informatave të para, për shkak të dyshimeve se ka probleme psikike, ai është dërguar fillimisht për ekzaminim mjekësor. Ndërkohë, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që t’i caktohet masa e ndalimit policor për veprat penale “dhunë në familje” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.