Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se 31 tetori është data e fundit kur të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë targa KM, PR, GL do të kenë mundësinë t’i konvertojnë në targa legale RKS.
“Data e fundit është 31 tetori kur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që kanë targa të stërvjetëruara si KM, PR, GL etj që janë të ngjashme e që janë mbetje të regjimit të Millosheviçit do të kenë mundësi që t’i konvertojnë në targa legale RKS ku edhe do të përfitojnë financiarisht nga lehtësimet tatimore”.
“Pra pa taksë doganore, pa akcizë dhe pa TVSH. Edhe një herë iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që janë të përkatësisë kombëtare serbe që ato targa t’i konvertojnë në legale dhe legjitime”, ka thënë Kurti, përcjell Gazeta Insajderi.
Sipas tij, janë më pak se 10 mijë vetura të tilla dhe shumica dërmuese e veturave që i kanë serbët në Kosovë tashmë janë konvertuar.
“Këto nuk janë masa kundër serbëve përkundër janë për serbët, iu ofrojnë lehtësime financiare dhe jemi të interesuar që të gjithë të jemi të barabartë”.
“Nuk është as hakmarrje, as urrejtje as inat por zbatim i ligjit. Përpos se duam të respektohet rendi dhe ligji duam të jem të kujdesshëm të mos rrezikohet paqja dhe siguria andej edhe kur miqtë ndërkombëtar na japin sugjerime ne ato i marrim shume seriozisht dhe i analizojmë me kujdes”, ka deklaruar tutje Kurti, shkruan Gazeta Insajderi.
Blinken për Kosovën dhe Serbinë: Zgjidhni në mënyrë paqësore çështjen e targave
Ndryshe, Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të zgjidhin në mënyrë paqësore çështjen e targave.
Kjo teksa po afrohet 31 tetori që është edhe afati i fundit për ndërrimin e targave me inicialet e qyteteve të Serbisë nga periudha e para luftës do të mund të përdoren në Kosovë.
Javën e kaluar i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta shtyjë afatin e regjistrimit të veturave serbe për 10 muaj. Diskutime për këtë çështje me Kosovë dhe Serbinë, pati edhe i dërguari evropian, Miroslav Lajçak.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, u pyet lidhur me mesazhin e Sekretarit Blinken për Prishtinën dhe Beogradin, duke pasur parasysh se afati i 31 tetorit po afrohet me shpejtësi për ndërmjetësimin e marrëveshjes për targat, teksa ripohoi mbështetjen amerikane për bisedimet Serbi-Kosovë.
“Mesazhi ynë për këtë ka qenë konsistent. Ne e mbështesim plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Price.
Price, mes tjerash, tha se Blinken ka folur edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha nga të dy kërkoi angazhim të vazhdueshëm për të siguruar paqe dhe stabilitet.
“Kjo është arsyeja pse Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Gabel Escobar, ishte në Prishtinë dhe Beograd për të mbështetur këtë proces. Siç e dini, edhe vetë Sekretari ka qenë thellësisht i angazhuar në këtë. Ai foli me presidentin serb Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Kurti në fillim të këtij muaji, më 11 tetor, besoj se ishte. Ai nënvizoi mbështetjen tonë për dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja. Ai kërkoi angazhim të vazhdueshëm konstruktiv për të siguruar paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin”, tha Price.
Tutje, Price tha se ka shpresë se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet.
“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim atë dialog të BE-së. Ne do të vazhdojmë të jemi partner si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë me shpresën se ato mund ta zgjidhin këtë mosmarrëveshje në mënyrë paqësore gjatë ditëve në vijim”, tha Price për The Pavlovic Today.
Von Cramon për targat: Shtyrja e afatit për targat do ta zbuste situatën
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, gjatë vizitës së djeshme në Prishtinë ka folur rreth targave.
Ajo tha se do të ishte një gjë e mirë nëse do të shtyhej afati për konvertim të targave, duke theksuar se i arsyeton qëndrimet e institucioneve kosovare lidhur me këtë çështje. Por, sipas saj, do të duhet të mendohet për të mos shkaktuar tensione.
“Për targat ka argumente të mira për ta shtyrë vendimin, e kuptoj edhe vlerësimin e Qeverisë së Kosovës se kjo do të shtyhet përgjithmonë dhe në një moment duhet të vendosim se duhet ta zbatojmë atë që kemi thënë 11 vjet më parë, pala serbe është në dijeni”, tha ajo, shkruan Gazeta Insajderi.
Eurodeputetja tha se nuk duhet të ketë provokime edhe pas kalimit të afatit për pajisje me targat që është 31 tetori.
“Askush nuk ka interesim për çfarëdo lloj provokimi apo agresioni në vend, edhe nëse i përmbahemi afatit të fundit, 31 tetorit. Duhet të futemi me hapa gradualisht në këtë fazë, duhet të mendojmë në mënyrë kreative si ta zbatojmë rregullin e ri çfarë paralajmërimesh bëni, çfarë gjobash u jepni atyre që nuk i ndryshojnë targat e di”, tha tutje ajo, shkruan Gazeta Insajderi.
Më tej Von Cramon tha se për të shmangur provokimet është mirë që qeveria ta kuptoj se zbatimi nuk nënkupton konfiskime që nga dita e parë.
“Lajçak dhe Escobar po kërkojnë një shtyrje dhe është një arsye e mirë mendoj se shtyrja do ta zbuste gjendjen. Por e kuptoj edhe Qeverinë e Kosovës që thonë në një moment duhet të vazhdojmë nëse ka një vend për vazhdim e shtyrjen diplomatike do të përkrahjes. Nëse qeveria e kupton se zbatimi nuk nënkupton konfiskime që nga dita e parë edhe kjo do të ishte diçka e mençur dhe do të parandalohet çfarëdo provokimi nga njëra apo pala tjetër”, ka thënë Von Cramon, shkruan Gazeta Insajderi.
Tensionet për targat
Ndryshe, afati për regjistrim të makinave në RKS ka nisur më 1 shtator dhe përfundon më 31 tetor.
Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka thënë se afati për riregjistrim nuk do të shtyhet dhe se nga 1 nëntori nuk do të mund të qarkullojnë më makinat me targa të lëshuara nga Serbia.
Këto targa konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, mirëpo deri më tani janë toleruar në veri të Kosovës.
Më 31 korrik dhe 1 gusht serbët lokalë në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe.
Vendimi për zbatim të këtyre dy vendimeve është shtyrë për 1 shtator, edhe me kërkesë të mekanizmave ndërkombëtarë.
Ndërkohë është arritur marrëveshje për dokumentet për hyrje/dalje.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.