​Edhe Kosova rrezikon të preket nga fruthi, bëhet thirrje për vaksinim të fëmijëve

Përkundër që në Kosovë ende nuk ka asnjë rast të prekur dhe as të dyshuar me sëmundjen e fruthit, ekziston rreziku që fëmijët të preken nga kjo sëmundje ngjitëse, pasi që kundër sëmundjes së fruthit me dozën e parë, janë të vaksinuar 87% e fëmijëve, dhe me dozën e dytë 95%, e përqindja e të pa vaksinuarve po konsiderohet rrezik për shpërthimin e kësaj sëmundje të fëmijëve, meqenëse tashmë raste aktive ka në rajon dhe Evropë.

Kështu ka deklaruar për KosovaPress, shefja e vaksinimit në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, Fetije Fetaj, e cila theksoi se arsyet e shpërthimit të fruthit në botë lidhet me rënien e nivelit të vaksinimit për të gjitha llojet e vaksinave në vitet e fundit për shkak të pandemisë COVID-19.

Ajo thotë se përkundër që Kosova ka një shkallë relativisht të mirë të vaksinimit kundër fruthit, por që kjo shkallë duhet të jetë mbi 95% me të dy dozat.

“Duke marrë parasysh që fruthi është një sëmundje që përhapet shumë lehtë, shumë shpejt dhe lëvizjet e shumta të popullatës… nuk themi se nuk jemi të rrezikuar dhe presim në çdo moment mund të ketë raste, puna jonë është që rastet me qenë sporadike, të kufizuara dhe mos me pas raste shumë. Vaksinimi në Kosovë me dozën e parë është 87% këtë vit dhe dozën e dytë në moshën 6 vjeç që jepet në shkolla është 94%, përqindja e vaksinimit është relativisht mirë, por një gjë duhet pas parasysh që për të qenë rehat, vendi ynë duke e parë natyrën e sëmundjes së fruthit, vaksinimit duhet të jetë mbi 95%, që të jemi të relaksuar dhe të mos ta kemi frikën se mund të kemi rritje të rasteve”, theksoi ajo.

Sipas saj, në Kosovë që nga janari i vitit 2019 nuk ka pas më asnjë rast të prekur me fruth, derisa shton se tani ka nisur një aksion për identifikimin e fëmijëve dhe vaksinimin e atyre që nuk janë të vaksinuar.

“Në vitin 2017-2018 kemi pas raste të fruthit diku kanë qenë 745 raste të konfirmuara me fruth, nga janari i vitit 2019 nuk është regjistruar asnjë rast i fruthit edhe sot e kësaj dite ne nuk kemi raste të konfirmuara as të dyshimta me fruth, por si vend e kemi parë që jemi të rrezikuar dhe kemi filluar me i marrë hapat, janë njoftuar të gjitha Komunat, kujdesi parësor, përgjegjësitë e vaksinimit që duhet t’i identifikojnë fëmijët që nuk janë të vaksinuar përmes telefonatave e thirrjeve të ndryshme, dhe vizitat shtëpi në shtëpi”, u shpreh Fetaj.

Doktoresha Fetaj ka njoftuar se Kosova ka stabilitet të qëndrueshëm në furnizimin me vaksinën kundër fruthi dhe është e qasshme për të gjithë fëmijët.

Ajo thotë se vaksina kundër kësaj sëmundjeje të fëmijëve është shumë efektive, prandaj bën thirrje te të gjithë prindërit që sa më shpejt t’i imunizojnë fëmijët me këto vaksina.

Doza e parë e kësaj vaksine jepet pas 12 muajve të jetës, ndërsa ajo e dyta në moshën 6 vjeçare.

Por, me këtë vaksinë mund të vaksinohen edhe fëmijët e tjerë pavarësisht moshës.

“Vaksina është shumë efektive dhe mbron, tek të pavaksinuarit janë të rrezikuar fëmijët nën 5 vjet dhe komplikimet janë serioze, nuk është sëmundje e lehtë, ne kemi pas në vitin 2017, fatkeqësisht edhe dy vdekje të fëmijëve. Sëmundjen nuk duhet ta neglizhojmë, këtë sëmundje virale nuk ka mjekim specifik, vetëm simptomatik është fat që e kemi vaksinën. Ju bëj thirrje të gjithë prindërve që ta kontrollojnë… Mundet me marrë në çdo kohë, dy dozat e vaksinës sepse vaksina mbron në çdo kohë, pa asnjë problem edhe nëse ka kaluar kalendari i vaksinimit… nuk ka lidhje mosha, mundet me marrë 2 vjet, 3, 5 vjet, 7 vjet, kurdo që prindi e vëren që nuk e ka të marrë vaksinën, duhet me marrë sepse jemi të rrezikuar të gjithë“, u shpreh ajo.

Sipas shefes së imunizimit në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, edhe Kosova për shkak të COVID-19, ka një rënie prej 5 deri në 10% të vaksinimit me vaksinat e tjera.

Ajo thotë se në këtë rënie kanë ndikuar frika e prindërve për t’i dërguar fëmijët në qendrat e vaksinimit për t’u imunizuar.

“Krejt stafi mjekësor fillimisht njëherë kur ka qenë sëmundja, pastaj vaksinimi kundër COVID, është bërë një punë e madhe, por asnjëherë nuk është lënë anash, gjithmonë i kemi pas ekipet e vaksinimit në të gjitha qendrat tona që janë marrë me vaksinimin e rregullt por prapëseprapë nuk është vetëm në vendin tonë, kjo ka ndikuar që ne nuk e ka pas atë kujdesin që ne me dal në terren, me thirr në telefon… Diku 5-10% gjithkund në botë, ne nuk e kemi një ulje më të ulët sesa vendet tjera, jemi barazi aty. Këtë vit e kam parë një rritje të përqindjes së vaksinimit në përgjithësi dhe shpresojmë që me qenë sikur para pandemisë… Shumë prindër kanë pas edhe frikë me dërguar fëmiun me vaksinuan në qendër për shkak se mund të infektohet nga COVID ose thjesht një neglizhencë për të gjitha”, shprehet ajo.

Javë më parë IKSHPK bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë kanë bërë thirrje prindërve që të respektojnë kalendarin e vaksinimit për t’i vaksinuar fëmijët e tyre kundër fruthit.

Shefja e vaksinimit në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, Fetije Fetaj ka theksuar se në bashkëpunim me UNICEF dhe OBSH-në, kanë arritur të imunizojnë me vaksinën kundër fruthit edhe fëmijët e grupeve të margjinalizuara në Kosovë.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin për rritjen e paraqitjes së rasteve të fruthit në botë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *