Dyshimet për ndërrimin e foshnjave në Gjinekologji, flet ministri

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi është deklaruar lidhur me rastin ky është dyshuar për ndërrimin e dy foshnjave.

Latifi në një konferencë për media tha se e konsideron një fatkeqësi të madhe këtë rast ku siç tha ai, shkaktari kryesor është mungesa e komunikimit të mjekëve me familjen.

I pari i shëndetësisë tha se ndjen keqardhje për komplikimet që ka pasur fëmija dhe për familjen që është lënduar nga kjo ngjarje.

“Më kanë njoftuar menjëherë e kam dëgjuar dhe lexuar raportin dhe komunikatën e SHSKUK-së, kam biseduar drejtpërdrejt me drejtorin e Gjinekologjisë. Ajo që ka ndodhur në gjinekologji është fatkeqësi e madhe, është shkak i mungesës së komunikimit. Komunikimi me familje është çështje më e rëndësishme që duhet ta bëjmë, kur dikush shkon në sallë të operacionit kurrë nuk fillon operacioni menjëherë, ne kemi mënyra sesi të komunikojmë me familjen për të treguar që filloi operacioni, nëse ka një komplikim të madh ne duhet të lajmërojmë menjëherë familjen”, tha ai.

Ndryshe, mbrëmjen e së mërkurës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) një foshnje ka ndërruar jetë, me ç’rast babai i viktimës e ka raportuar rastin në Policinë e Kosovës.

Sipas babait të foshnjës, infermierja e Klinikës i ka treguar për lindjen e foshnjës, dhe më pas i ka ardhur lajmi se është ngatërruar foshnja, pasi foshnja e tij kishte lindur pa shenja jete.

Në raportin e Policisë së Kosovës ankuesi ka raportuar se dyshon që është ndërruar foshnja.

Siç thuhet në raport, lidhur me rastin me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në IML për obduksion.

Ndërsa, siç bëhet e ditur në raport, rasti vazhdon të hetohet.

“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se dyshon se viktimës femër kosovare i është ndërruar foshnja. Lidhur me rastin me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në IML për obduksion, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raport të Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, edhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, kishte sqaruar të enjten rastin e foshnjës e cila lindi pa shenja jete në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike në QKUK, pasi policia nisi hetimet për shkak të dyshimeve për “trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor”.

Sipas njoftimit, ShSKUK i ka mohuar këto pretendime duke sqaruar se bëhet fjalë për dhënie të paautorizuar të informatave nga infermierja dhe ngatërrim të informatës.

“Në lidhje me raportimet në medie se janë “ndërruar foshnjat” në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, Qendra Klinike Universitare e Kosovës njofton se nuk bëhet fjalë për ndërrim të foshnjave, por për dhënie të pautorizuar të informatave nga infermierja  dhe ngatërrim të informatës”, thuhej në reagimin e tyre.

Në lidhje me foshnjën e vdekur, në njoftim bëhej e ditur se gjatë kohës së kryerjes së lindjes, pacientja që po kryente lindjen është njoftuar nga gjinekologët për komplikimet shëndetësore dhe se fëmija i saj nuk do të mbijetonte.

“Deri të ngatërrimi i infermieres ka ardhur pasi në të njëjtën kohë ka pasur edhe një lindje tjetër dhe infermierja e Klinikës së Neonatologjisë ka dhënë informatë jo të autorizuar duke ngatërruar rastet, keqinfromuar prindërit”.

Menaxhmenti i Klinikës së Neonatologjisë thuhet se ka kërkuar deklaratat me shkrim nga i gjithë stafi kujdestar dhe rasti do të procedohet më tutje, sipas legjislacionit në fuqi.

“Drejtoria e ShSKUK,  rikujton se në Qarkoret Informative të lëshuar së fundmi ka njoftuar klinikat dhe spitalet, se  për dhënie të informatave janë  të autorizuar vetëm mjekët, shefat e reparteve, apo drejtorët e klinikave që përcjellin gjendjen shëndetësore të pacientëve, por jo infermieret dhe punonjësit e tjerë që nuk janë marrë direkt me trajtimin e rastit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *