Duda Balje viktimë e ngacmimit dhe kanosjes nga personi i cili thotë se ishin në ‘lidhje dashurie’ për 6 vite, ‘çon’ në këmbë Policinë

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, e cila vjen nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje ka denoncuar në Polici se është përballur periudhën e fundit me presion, ngacmime e kërcënime nga një 42-vjeçar, i cili pretendon se për disa vite ka qenë në lidhje dashurie me deputeten Balje, mëson Gazeta Sinjali nga burime brenda partisë, ku bën pjesë Balje. 

Ditë më parë, si rezultat i shqetësimit të përjetuar tash e një kohë, deputetja Balje ka kërkuar ndihmën e Policisë, për ta mbrojtur nga ngacmimet dhe kanosja serioze për jetën, që ajo pretendon se ka marrë nga i dyshuari B.S.

Denoncimi i saj menjëherë ka aktivizuar Policinë për arrestimin e të dyshuarit, i cili pas intervistimit dhe përballjes me denoncimin e deputetes Balje, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë dhe në ndërkohë është kërkuar dhe aprovuar masa e paraburgimit për 30 ditë. 

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se deputetja Balje dyshohet se u përballë për një kohë të gjatë me ngacmime, kanosje, pengim në aktivitetin e saj ditor, madje shqetësimet kanë shkuar aq larg sa që i dyshuari ka filluar me thirrje telefonike edhe te kolegët, duke mos kursyer as bashkëshortorin e saj.

Gazeta Sinjali iu sjellë detajet e rëndësishme për këtë rast, që po trajtohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe është konfirmuar pjesërisht nga deputetja Balje, si dhe nga avokati i të dyshuarit. 

Si u zbulua rasti, çka pretendon i dyshuari dhe çka deklaroi Balje?

Persona të afërt me anëtarët e partisë ku bën pjesë deputetja Balje, në kushte anonimiteti, kanë rrëfyer për Gazetën Sinjali detaje nga ky rast që ka tronditur Baljen dhe njerëzit e saj të afërt, të cilët dyshohet se janë trazuar nga thirrjet e shumta telefonike, të personit të dyshuar. I dyshuari tashmë ndodhet nën masën e paraburgimit dhe po hetohet për veprat ngacmim dhe kanosje. Ai ka mohuar dyshimet e ngritura dhe është mbrojtur duke pretenduar se nuk ka të bëjë me ngacmim, por me një raport të afërt, të cilit i është referuar si lidhje dashurie. 

Kjo është konfirmuar për Sinjalin edhe nga avokati, i cili tutje shtoi se i dyshuari pretendon se “ka pasur raporte, lidhje dashurie një kohë të gjatë… ai është deklaru vet. Ai e thojke lidhje. Është përmendur edhe në deklaratat e tij që ka pasur takime, telefonata, shkëmbime sms-ësh.”

Sipas informacioneve të para, për gjashtë vite me radhë, deputetja Duda Balje njihet me të dyshuarin, i cili është nga Deçani, kohën e fundit ka jetuar mes Pejës e Zvicrës, për shkak të biznesit të tij, të cilin e menaxhon. Gjatë periudhës kur pretendon se pasur kontakt me deputeten, ai po dyshohet se në vazhdimësi ka ushtruar presion, duke e ngacmuar e kërcënuar, me qëllim të frikësimit në lidhje me disa foto/video që i posedon.

Burimet e njëjta kanë bërë me dije për Sinjalin, se prej kur palët kanë rënë në kontakt me njëri-tjetrin, pra nga viti 2016 deri në fillim të këtij muaji, ai dyshohet se është përfshirë në sjellje të vëmendjes së vazhdueshme dhe të padëshirueshme, duke komunikuar me Baljen, me qëllim të ngacmimit dhe frikësimit, duke i shkaktuar asaj shqetësim të madh emocional. 

Sipas informacioneve që ka Sinjali, deputetja Balje në vazhdimësi i ka kërkuar të dyshuarit që të mos e shqetësojë me veprime të tilla dhe për ta parandaluar shqetësimin e kishte bllokuar qasjen në numrin e saj dhe në të gjitha rrjetet e mundshme sociale, por përkundër kësaj, i dyshuari kishte vazhduar tentimin për të rënë në kontakt me deputeten Balje, duke mos kursyer miqtë e bashkëpartiakët e saj.

Të njëjtit persona, të afërt me partiakët e Baljes, kanë bërë me dije se deputetja ka pranuar pothuajse çdo ditë thirrje nga i dyshuari. Në disa raste, siç thonë ata, ka ndodhur i dyshuari e ka telefonuar mbi 200 herë në ditë Baljen. 

Këta të fundit thonë se në gjithë këtë rast, nuk është përfshirë vetëm deputetja, pasi i dyshuari e ka penguar me thirrje edhe familjen e saj, në veçanti bashkëshortin, e madje edhe anëtarët e partisë së Baljes, veprime këto që i ka ndërmarrë për ta frikësuar.

Ngacmimet e vazhdueshme që ka marrë, Balje është kërcënuar që të mos i raportojë në Polici. I dyshuari, siç merr vesh Gazeta Sinjali e ka kanosur seriozisht Baljen, duke e kushtëzuar se në rast se e denoncon në Polici, ai do t’ia publikojë disa fotografi dhe video të saj.

Përmes shantazhit e kanosjes në këtë formë, që të ketë kontakt me Baljen, qëllimi i të njëjtit dyshohet të ketë qenë humbja e reputacionit të Baljes, e cila është figurë politike që një kohë të gjatë në Kosovë dhe vazhdon të jetë deputete e Kuvendit të Kosovës, për të disatën legjislaturë.

Të afërmit me anëtarët e partisë SDU, kanë bërë me dije për Sinjalin se rasti që i parapriu arrestimit të të dyshuarit, ka ndodhur në javën e dytë të janarit, kur i dyshuari, i cili tentonte me çdo kusht të ketë një raport me Baljen, e ka kanosur me jetë deputeten. Bazuar në dëshmitë e deponuara në Polici, ky i fundit dyshohet t’i jetë drejtuar deputetes me fjalët “plumbin n’ball do ta jap”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *