Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorët e partisë ka pritur sot në takim përfaqësuesin special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Sannes Bjørnstad i cili u shoqërua nga Anzej Franges, i dërguar special për Ballkanin perëndimor, ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Republikës së Sllovenisë, Maja Novak Dernovceck, ministër këshilltar, zyra e Sekretarit të shtetit, ambasadorja e Sllovenisë, Minca Benedejčič, ambasadori i Norvegjisë, Jens Erik Grondahl, dhe Eline Vaage zyrtare ekzekutive e ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë.
Sipas njoftimit nga LDK-ja, “gjatë takimit u diskutua për situatën aktuale politike në vend si dhe qëndrimin e LDK-së karshi procesit të dialogut”.
“Kryetari Abdixhiku ritheksoi edhe njëherë se LDK i jep përkrahje procesit të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-ve”, thuhet në njoftim.
Po ashtu u tha se LDK-ja ripërsërit se Kosovës i duhet marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
“Në takim u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit dhe thellimin e raporteve mes shteteve tona duke pasur parasysh që Norvegjia dhe Sllovenia mbesin partner që kanë ndihmuar Kosovën në proceset shtet-ndërtuese dhe zhvillimore”, thuhet në komunikatën e LDK-së.