“Asociacioni sipas marrëveshjes 2013 dhe 2015, modelet e BE’së s’janë alternativë por frymëzim”

“Pa Asociacion s’ka marrëveshje, s’ka normalizim”

Ky ishte lajtmotivi në të gjithë deklarimin e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajpak, pasi përfundoi takimet me përfaqësuesit politikë shtetëror në Prishtinë dhe Beograd.

Në Prishtinë tha se “takimi ia përmbushi pritshmëritë” ndërsa nga Beogradi i ra borisë së njëjtë të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si bosht kyç për marrëveshjen bazë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ky Asociacion tha se është kërkesë “unike” e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Lajçak përdori frazën e njëjtë të para disa muajve të Zëvendës Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, se Asociacioni jo vetëm që “duhet të bëhet” por se ai “do të bëhet”.

“Sigurisht në bazë të asaj që është rënë dakord në 2013 dhe 2015”, tha ai, ndonëse Marrëveshja e 2015 është kontestuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Janë 15 modele evropiane që “mund të shërbejnë si frymëzim por jo si alternativë”, u shpreh Miroslav Lajçak.

“Kurrë më shumë s’kemi qenë të unifikuar rreth kësaj çështje”, i tha Lajçak transmetuesit publik serb duke folur Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Asociacioni është bërë çështje kyçe dhe është bërë e qartë për të gjithë se nëse nuk ka Asociaciojn, nuk ka marrëveshje dhe nuk ka normalizim. Por unë nuk besoj se kjo mund të ndodhë”.

Ndërkaq, këto takime të Lajçak të cilat supozohen të shtrojnë rrugën para për arritjen e një dakordësimi për Aneksin e Zbatimit të Plan-Propozimit të BE’së para takimit trepalësh në Ohër, mbeten nyja e pazgjidhshme për rrugën para.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *