Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka paralajmëruar opozitën që të mos e shfrytëzojë temën e Asociacionit për lojëra të brendshme politike.
Rohde u bëri thirrje partive opozitare që ta mbështesin planin franko-gjerman, duke ua kujtuar se partnerët më të ngushtë të Kosovës, qëndrojnë fuqishëm prapa këtij propozimi.
Rohde ka theksuar se Asociacioni i ka mbetur Qeverisë Kurti “trashëgimi” nga qeveritë e kaluara, që janë përbërë nga opozita e sotme.
“E di, të enjten kishte një debat parlamentar, që ka zgjatur deri pas mesnatës. I ndjek deklaratat e tyre dhe ajo që mund të them është se nuk ia vlen, pra është kot të flasë për të kaluarën, e kam fjalën për temën e diskutimit lidhur me Asociacionin e komunave serbe. Ekziston një obligim që është bartur nga qeveritë e kaluara tek kjo qeveri, pra nga qeveri të kaluara, që ishte përbërë nga opozita e sotme. Ajo qeveri e përbërë atëherë nga opozita e sotme, kishte marrë obligime që nuk i kishte zbatuar dhe tani qeveri e sotme duhet të ballafaqohet me atë trashëgimi”, ka deklaruar Rohde.
Ai i kërkoi opozitës që ta mbështesë planin franko-gjerman, derisa ua përmendi përgjegjësinë që kanë.
“Personalisht, nga opozita pres përgjegjësi politike shtetërore dhe me këtë rast dua të potencoj edhe një herë se e gjithë bashkësia ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë partnerët më të ngushtë të Kosovës, qëndrojnë fuqishëm prapa këtij propozimi. Prandaj, dua të shpresoj se opozita do të ketë sjellje konstruktive dhe këtë temë super politike të mos e shfrytëzojë për lojëra të brendshme politike ashtu siç kishte ndodhur në të kaluarën. Tani bëhet fjalë për të siguruar të ardhmen dhe këtu gjithkush ka përgjegjësinë e vetë politike, në mënyrë të veçantë opozita”, ka deklaruar Rohde për Radio Kosovën.
/KosovaPost.net/