Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama e ka shkarkuar Donjeta Sahatçiun nga posti i nënkryetares së Komunës.
Rama shkroi në Facebook se Sahatçiu u shkarkua për shkak të ngecjeve të evidentuara në fushën e digjitalizimit, fushë të cilën e ka udhëhequr ajo.
“Ky projekt, siç e dini ka qenë një prej premtimeve të bëra, duke dashur që të përmirësoj e modernizoj institucionet e Kryeqytetit. Andaj, për shkak të vonesave të shumta në proces dhe ngecjes së projektit të digjitalizimit, kam marrë vendim që të liroj nga detyra, znj. Donjeta Sahatçiu, nga pozita e Nënkryetares së Kryeqytetit dhe pozita e Ushtrueses së Detyrës së Drejtores së Arsimit”, shkroi Rama.
Në vend të saj, Rama e ka emëruar nënkryetare të Komunës, anëtaren e Kryesisë së LDK-së, Jehona Lushakun.
“Dr. Jehona Lushaku – Sadriu, e kam emëruar Nënkryetare të Kryeqytetit dhe Ushtruese e Detyrës së Drejtores së Arsimit. Dr. Lushaku – Sadriu është profesoreshë e mirënjohur universitare me arritje të shumta profesionale”, shkroi kryetari i Prishtinës.