Serbët e zhvendosur nga Kosova kanë paralajmëruar bllokimin e rrugës dhe kalimit të automjeteve të shqiptarëve që vijnë nga vendkalimi Merdar drejt Kurshumlisë, Nishit e Beografit në drejtim të Suboticës, ka njoftuar “RTS”
Sipas këtij njoftimi “sot nga ora 12.00 deri në orën 15.00 do të bllokohet qarkullimi i automjeteve që drejtohen nga shqiptarët përmes vendkalimit Merdar drejtë Kurshumlisë, Nishit dhe Beogradit dhe tutje në drejtim të Suboticës – përkatësisht kufirit hungarez”.
“Bllokimi i rrugës do të jetë çdo të hënë nga tri orë përkatësisht nga ora 12.00 deri në ora 15.00 dhe atë deri në ndalimin e terrorit të përditshëm ndaj popullit tonë në Kosovë. Terrori që ata përjetojnë serbët dhe jo-shqiptarët është bërë i padurueshëm dhe shumë afër është edhe konflikti me pasoja të paparashikueshme“, thuhet në kumtesën e Shoqatës së personave të zhvendosur serb , të tubuar në këshillin iniciues të serbëve të Podujevës dhe Kosovës.
Ata kërkojnë nga presidenti i Serbisë Vuçiç dhe ministri i jashtëm Daçiç por edhe nga anëtarët tjerë të qeverisë së Serbisë që urgjentisht të iu dërgojnë njoftim të gjithë faktorit ndërkombëtar për ndalimin e presionit dhe terrorit ndaj serbëve.