220 vajza të vaksinuara kundër kancerit të qafës së mitrës, nga shkurti vaksinimi nis edhe në shkolla

220 vajza deri më tani janë vaksinuar me vaksinën e cila i mbron nga sëmundja e kancerit të qafës së mitrës. Këtë e kanë bërë të ditur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Kosovës.

“220 vajza deri më tani janë vaksinuar me HPV”, kanë thënë nga IKSHPK.

Madje ky proces i vaksinimit nga mesi i muajit shkurt do të fillojë përmes shkollave, për vajzat 12 vjeç. Kështu kanë thënë nga Ministria e Shëndetësisë.

“Gjatë vitit qe shkoi vaksinimi kundër HPV vaksinës është pilotuar si projekt me 300 vaksina të dedikuara kryesisht për vajza të reja që kanë predispozita familjare për kancer të qafës së mitrës. MSH dhe IKSHPK kanë bërë përgatitjet që nga mesi i muajit shkurt të fillojë vaksinimi përmes shkollave i vajzave të klasës së VI-të (mosha 12 vjeçe) me vaksinën kundër HPV”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

MSH-ja ka siguruar edhe 15 mijë vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës

Ministria e Shëndetësisë ka siguruar edhe 15 mijë vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës, nga 300 sa ishte furnizimi paraprak.

“Vaksina HPV është bërë tashmë me vendim të Ministrisë prej vitit të kaluar 2023, pjesë e Kalendarit të rregullt të vaksinimit dhe fushata e vaksinimit të rregullt në krejt vendin për vajzat e moshës 12 vjeçe fillon nga muaji tjeter. Janë siguruar mbi 15 000 vaksina”, thonë në përgjigje nga MSH.

Si rrjedhojë e kësaj, nga ministria dhe nga IKSHPK thonë se interesimi është i mirë.

“Prindërit kanë filluar të interesohen dhe ata po informohen për këtë proces, dhe siç edhe keni mundur të vëreni janari është duke u shënuar me aktivitete sensibilizuese dhe informuese për kancerin e qafës së mitrës dhe vaksinimin kundër HPV, interesimi është i mirë”, thuhet në përgjigjen e tyre për Front Online.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *