Gjatë ditës së sotme faqja zyrtare e Federatës Botërore të Tenisit (ATP) në Facebook, të cilën e përcjellin mbi tre milionë njerëz, në fotografinë e profilit ka paraqitur flamurin e Shqipërisë me figurat e Ismail Qemalit e Isa Boletinit, flamur që u shfaq me dron në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë në vitin 2014.
Mbi fotografinë e postuar në faqen zyrtare të ATP-së, është uruar edhe festa e 28 nëntorit, në gjuhën angleze.
Megjithatë, pas një kohe të shkurtër ATP-ja e ka larguar këtë fotografi nga profili për ta zëvendësuar me logon e saj zyrtare.
Nuk ka dhënë ndonjë shpjegim nëse profili i është hakuar, ndonëse fotografia me flamurin e Shqipërisë është ende në Facebookun e ATP-së, por jo në profil.
Mediumet serbe kanë shkruar se profili zyrtar i ATP-së ishte hakuar. Ditë më parë, tenistët e Serbisë u kritikuan ashpër për shkak se në ndeshjet e “Davis Cup” të mbajtur në Spanjë, dolën me këngë nacionaliste në fushë.
ATP është organizata botërore e tenisit të meshkujve.