Kurti: Serbia na kërcënon ende me pushtim

Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, ka kërkuar në Samitin e Procesit të Berlinit ndëshkimin e Serbisë për sulmin e 24 shtatorit. Në fjalën e tij përpara liderëve të Bashkimit Europian, por edhe Ballkanit Perëndimor mes tyre edhe kryeministren serbe, Ana Bërnabiç, Kurti përçoi mesazhe të forta duke thënë se Kosova ende kërcënohet me pushtim nga Serbia dhe sipas tij, mjafton ky fakt që Samiti të mos vazhdojë punën si zakonisht.

“Në një sulm terrorist kundër Kosovës më 24 shtator, një nga oficerët tanë të policisë u vra, por autorët ende enden të lirë në Serbi edhe pse publikisht e pranuan përfshirjen e tyre. Ky ishte një akt i urryer i sponsorizuar nga Serbia, siç tregojnë provat e pakundërshtueshme. Ne kemi konfiskuar mbi 5 milionë euro armatim dhe municione të sofistikuara të prodhuara në Kragujevc dhe Çaçak. Katër herë në dy vitet e fundit Serbia ka sjellë ushtrinë e saj në kufirin tonë. Edhe njëzet e pesë vjet pas fushatës gjenocidale, dhe pas kaq shumë raundeve të dialogut, Kosova ende kërcënohet me pushtim nga Serbia. Ky moment na kërkon të reflektojmë dhe të mos e vazhdojmë punën si zakonisht. Një veprim i tillë nuk duhet të mbetet pa u ndëshkuar”, tha Kurti.

Ai thekson se Ballkani Perëndimor do duhet të punojë për një të ardhme të përbashkët, të sigurt, që qytetarët të mos jetojnë me frikën se të nesërmen mund të shpërthejë një konflikt.

“Qytetarët në Ballkanin Perëndimor sot nuk duhet të jetojnë nën frikën e konfliktit nesër, por të punojnë për një të ardhme së bashku. Ne si udhëheqës të tyre kemi përgjegjësinë për të ndërtuar atë të ardhme të përbashkët. Dhe si udhëheqës ne duhet të përfshihemi në atë proces me mirëbesim. Kërkohet një angazhim me mirëbesim për të garantuar efektivitetin afatgjatë të marrëveshjeve tona dhe respektimin e të gjitha palëve të investuara në proces.

Vitin e kaluar, ne nënshkruam tre marrëveshje mobiliteti, një hap i rëndësishëm drejt rezultateve të prekshme. Ndërsa unë e vlerësoj përparimin, mund të ishte më i shpejtë. Fatkeqësisht, mospërfillja e një marrëveshjeje kyçe për lirinë e lëvizjes nga ana e Bosnjës dhe Hercegovinës do të thotë se kërkesat për viza ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës vazhdojnë”, shtoi kryeministri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *