Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në Gjilan nën dyshimin se kanë bërë dallavere për prerjen dhe shitjen e druve nga një pyll i Gjilanit. Njëri nga të arrestuarit është përgjegjës i pyllit.
Policia, sipas njoftimit, në fshatin Muqivërcë ka ndaluar dy kamionë të cilët po transportonin masë drusore për ngrohje, dokumentacioni përcjellës i të cilëve kishte rezultuar i dyshimtë.
“Për shkak të dyshimeve për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, prokurori kujdestar ka urdhëruar që nga pylltari përgjegjës, përkohësisht të sekuestrohen dy kamionët me masë drusore, ndërsa nga shitësi i tyre të sekuestrohen vendimet e lejes për prerje të druve, deri në verifikimin e gjendjes faktike. Policia ka kryer veprime hetimore dhe ka arritur të sigurojnë dëshmi se i dyshuari RR.G., (1967) me qëllim që vetes t’i sjellë përfitime pasurore është përfshirë në veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” duke lëshuar dokumente fiktive (fletëpërcjellje) dhe duke ua mundësuar të dyshuarve A.SH. (1969) dhe H.SH., (1963) bartjen e drunjëve me dokumentacion jo të rregullt”, thuhet në njoftim.
Për dy të dyshuarit e fundit është iniciuar vepra penale “vjedhja e pyllit”.
Të tre të arrestuarve u është caktuara masa e ndalimit prej 48 orëve.