Epruveta me gjak hidhen pranë shkollës në Slivovë, ja ku janë dyshimet

Mostra të gjakut, që janë përdorur për analiza mjekësore të pacientëve, kanë qëndruar për disa ditë të shpërndara në tokë, në afërsi të shkollës “Filip Shiroka” në fshatin Slivovë të Prishtinës. Ende nuk dihet kush i ka hedhur, por dyshohet se janë të spitaleve private. Në epruveta gjendet edhe identiteti i pacientëve që kanë kryer analizat.

Drejtori i shkollës, Jakup Ramadani, ka thënë se kjo gjë po konsiderohet si shumë e rrezikshme për nxënësit që kalojnë nëpër këtë rrugë për të shkuar në shkollë dhe shtëpi.

“Ato mostra të gjakut unë i kam parë gjatë ditës së sotshme, pra nga rrjetet sociale. Ato i ka publikuar një bashkëfshatar, unë kam reaguar menjëherë. Ne nuk mundemi të kontrollojmë kush hedh mbeturina në rrugë, mirëpo është shumë e rrezikshme për nxënës, sepse nxënësit frekuentojnë në ato rrugë çdo ditë sepse e presin autobusin aty. Aty është hedhur një qese me shiringa dhe epruveta të gjakut dhe janë të shpërndara në rrugë”, ka thënë Ramadani.

Fakti që këto epruveta nuk janë prekur nga nxënësit Ramadani e ka cilësuar si mrekulli, sepse, sipas tij, po të ndodhte e kundërta do të kishte pasoja në shëndetin e fëmijëve.

“Fatmirësisht fëmijët nuk i kanë prekur sepse rreziku kishte me qenë diçka e jashtëzakonshme, nëse do t’i kishin hapur fëmijët. Edhe vetë ambienti jashtë shkollës është shumë i papastër, jemi organizuar shumë herë për t’i mbledhur ato mbeturina, por është shumë rrezik të dilet jashtë oborrit të shkollës për shkak të shpejtësisë së veturave. E kam njoftuar shumë herë policinë sepse edhe pse është shpejtësia e kufizuar nuk respektohet. Disa arsimtarë i kam pyetur që zbresin aty nga autobusi, më kanë thënë që këto epruveta qëndrojnë aty prej javës së kaluar”, ka shtuar Ramadani.

Sipas Ramadanit, epruvetat me gjak dhe shiringat ishin hedhur në koshin e mbeturinave në afërsi të shkollës, mirëpo ato janë shpërndarë në tokë nga qentë endacakë.

“Ato janë hedhur në kontejner, mirëpo qentë endacakë i kanë shpërndarë nëpër rrugë dhe do të kishte qenë mirë të dalë Inspeksioni për ta inspektuar vendin dhe të identifikohet personi që i ka hedhur sepse ka mundur të ndodhë ndonjë tragjedi e madhe me fëmijë”, ka thënë ai.

E Inspektorati Mjekësor në një përgjigje me shkrim ka thënë se vendi i ngjarjes është izoluar dhe se janë duke e verifikuar dyshimin se mos pas kësaj ngjarjeje qëndron ndonjë institucion privat shëndetësor.

“Vendi i ngjarjes u izolua me shirita nga njësia policore. Për rastin në fjalë nga njësia policore është informuar edhe prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore, z. Nazmi Krasniqi. Sa u përket dyshimeve se a janë shkaktuar nga ndonjë institucion privat shëndetësor apo nga dikush tjetër, Inspektorati Shëndetësor është në procedurë të identifikimit. Sipas informative që posedojmë nga njësia policore, epruvetat me mostra gjaku dhe enët me kultura mikrobiologjike janë larguar nga njësia e FSK-HAZMAT”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kjo nuk është hera e parë që mbetjet medicinale nuk hidhen sipas udhëzimeve, por përfundojnë në kontejner bashkë me mbeturinat shtëpiake.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *