Po qëndronte në hotel “Emerald”, 57 vjeçarit i vidhet ora me vlerë 60 mijë euro

Një burrë 57-vjeçar kishte planifikuar që të kalojë disa çaste relaksi në një hotel luksoz në magjistralen Prishtinë – Ferizaj. Por ky pushim i kushtoi atij shumë më shtrenjtë se që e planifikoi, për shkak se dikush ia mori atij orën e dorës, vlera e së cilës kap shifra marramendëse, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur mbrëmjen e së hënës. Ankuesi ishte akomoduar në hotelin luksoz ‘Emerald’ dhe pas sistemimit në dhomën e tij, kishte vazhduar në hapësirat tjera për të marrë shërbimet që ofron hoteli.

Për shkaqe sigurie, gjatë kohës që po ushtronte në palestër, nga dora kishte hequr orën e tij që kap vlerën e mbi 60 mijë eurove. Pas përfundimit të ushtrimeve, ankuesi kishte dalë nga palestra, por që kishte harruar ta marrë me vete orën që e la pranë vetes.

E posa u kthye mbrapsht, orën s’e gjeti aty ku e la, gjë që bëri të kërkojë ndihmën e Policisë së Kosovës për të rënë në gjurmët e personit që ia vodhi.

Ai ka dhënë dëshminë e tij lidhur me ngjarjen në organet e hetuesisë, ndërkohë që të njëjtit kanë marrë veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Ndërkohë Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe me stafin e hotelit ‘Emerald’, mirëpo të njëjtit kanë thënë se nuk kanë informacione dhe me rastin po merret Policia.

“Nuk kam informacione. Rastin e ka marrë Policia dhe na nuk është që jemi të involvum në këtë pjesë”, thanë shkurtimisht nga hoteli.

Ndryshe, me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet personi i dyshuar.

/GazetaSinjali/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *