Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e 6 milionë eurove për të kryer pagesën për qytetarët që kanë kursyer energjinë elektrike.
Propozimin para kabinetit qeveritar e ka bërë ministri i Financave, Hekuran Murati.
“Në kuadër të mbështetjes ndaj sistemit energjetik, ka pasur disa masa që janë zbatuar nga Qeveria siç janë për pajisjet efeciente por edhe kjo për subvencionimin e kursimit të energjisë elektrike. Në kuadër të kësaj po bëjmë ndarjen e radhës dhe ndarja për këtë masë do të jetë për vlerën deri në 6 milionë euro”- tha Murati.
Qeveria e Kosovës nga muaji shtator ka filluar të subvencionoj qytetarët të cilët kursejnë energjinë elektrike. Ky subvencionim i energjisë elektrike, është në kuadër të pakos që është përgatitur nga ekzekutivi për të përballuar inflacionin.
Qytetarët do të subvencionohen për dyfishin e kursimit të energjisë elektrike. Konsumatorët nuk kanë nevojë të aplikojnë pasi do të përdoren të dhënat nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
Ministri i Financave, Hekuran Murati kishte njoftuar që nëse një familje ka shpenzuar 1,000 kilovat në shtatorin e vitit të kaluar ndërsa në shtatorin e këtij viti ka harxhuar 900 kilovatë, ajo do të subvencionohet për dyfishin e kursimit, do të thotë 20% (pasi që 10% është kursimi në mes dy muajve, ndërsa dyfishi i kursimit është 20%).
/OraInfo/