Shqiptari i shpëton jetën djalit 5-vjeçar, i dhuron mushkëritë në operacionin e rrallë në Itali

Një shtetas shqiptar i ka shpëtuar jetën djalit të tij 5-vjeçar pasi i ka dhuruar mushkëritë në transplantin e parë të këtij lloji në Itali.

Fëmija doli nga spitali javën e kaluar pasi  mund të merrte sërish frymë falë mushkërive të dhuruara nga babai i tij, pak më shumë se një muaj pas operacionit.

Transplanti i mushkërive nga një dhurues i gjallë, i pari në Itali për këtë organ, u krye më 17 janar në Bergamo. Dhuruesi i mushkërive është 34-vjeçari shqiptar Anduel, babai 5-vjeçarit Mario.

Në verën e vitit 2018, Ornela, gruaja e Anduelit u transferua në Itali, së bashku me fëmijën e saj një vjeç.  Disa muaj pas mbërritjes së tyre, babai i tyre Anduel u bashkua me ta, pasi kishte lënë punën e tij si inxhinier ndërtimi në Shqipëri.

Një vit pas mbërritjes së tyre në Itali, prindërit e Marios e çuan djalin e tyre në spitalin Meyer në Firence pasi ai shfaqi disa shenja sëmundjeje.  Pas analizave u zbulua diagnoza e talasemisë ose siç njihet ndryshe, anemisë mesdhetare, një çrregullim gjaku. 

Në verën e vitit 2021, mjekët kërkuan për djalin një transplant të palcës së eshtrave. Pavarësisht suksesit të transplantit, pikërisht ky dhurim i palcës nga babai, me pasojë “transferimin” e sistemit imunitar të prindit tek fëmija, gjeneron një sëmundje tjetër te djali 5-vjeçar.

Qelizat e transplantuara nga babai dhurues “sulmuan” organet dhe indet e djalit, të cilat sistemi i ri imunitar nuk arriti t’i njohë si të tijat.  Kjo sëmundje dëmtoi mushkëritë e Marios deri në atë pikë sa ai po humbiste plotësisht aftësinë për të marrë frymë në mënyrë të pavarur.  Për të nuk kishte asnjë shpresë mbijetese, përveç një transplanti të mushkërive. 

Më 1 dhjetor 2022, familja mbërriti në spitalin e Bergamos për të kryer transplantin. Mjekët thanë se babai i djalit ishte personi më i përshtatshëm për të kryer transplantin e rrallë të mushkërive pasi ai i kishte dhuruar edhe palcën më parë.

Prindërit e Marios pa ngurruar fare thanë se janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për të shpëtuar jetën e djalit të tyre.  Transplanti u krye më 17 janar 2023 në dy dhoma kirurgjikale ngjitur. Menjëherë pas operacionit, babai u shtrua ditën e parë në repartin e terapisë intensive për të rriturit. 

Me t’u zgjuar, shqiptari Anduel kërkoi të dinte se si ishte shëndeti i djalit të tij. Ky i fundit u shtrua për dy javë në Repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik, një nga objektet më të mëdha në Itali për shtretërit të dedikuar ekskluzivisht për pacientin pediatrik dhe i specializuar në menaxhimin e fëmijëve të sëmurë rëndë, edhe në fazat pas transplantit.

Tetë ditë pas transplantimit Mario arriti autonominë e frymëmarrjes dhe prindërit arritën ta shohin. 

Fëmija tani është në gjendje të shkelqyer të pergjithshme. Ai ka rifilluar aktivitetet e tij normale pa pasur nevojë për asnjë mbështetje respiratore, falë mushkërive të tij të reja, të përkryera, funksionale, dhuruar nga babai i tij. 

Ai u largua nga spitali më 21 shkurt, pak më shumë se një muaj pas operacionit.  Mario do të qëndrojë për disa kohë në Bergamo për t’iu nënshtruar kontrolleve pas transplantit.Mjekët thonë se ai mund të shkojë në shtëpi dhe të fillojë përsëri një jetë normale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *