Turqia sot përfundon operacionet e kërkim-shpëtimit

Presidenca Turke e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), ka thënë se operacionet e kërkim-shpëtimit kanë përfunduar në shumicën e provincave, gati dy javë pas tërmeteve shkatërruese të këtij muaji në Turqi dhe Siri.

“Numri i të vdekurve për shkak të tërmeteve u rrit në 40,642 dhe puna e kërkimit dhe shpëtimit për njerëzit e ngecur nën rrënojat ka përfunduar në shumicën e provincave”, tha kreu i AFAD-së, Yunis Sezar.

“Ne besojmë se do t’i përfundojmë operacionet e kërkim-shpëtimit deri sot në mbrëmje”, shtoi ai.

Një tërmet me magnitudë 7.8 goditi pjesën juglindore të Turqisë dhe Sirinë fqinje më 6 shkurt, duke lënë të vdekur më shumë se 46,000 njerëz dhe më shumë se një milion njerëz të pastrehë, së bashku me një kosto ekonomike që pritet të shkojë në miliarda dollarë.

Në Siri, janë raportuar më shumë se 5,800 vdekje, kryesisht në veriperëndim. Shifra nuk ka ndryshuar për disa ditë, raporton Al Jazeera.

Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se rreth 26 milionë njerëz në të gjithë Turqinë dhe Sirinë kanë nevojë për ndihmë humanitare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *