Fotot nga qyteti turk Adıyaman, një nga më të goditurit nga tërmeti shkatërrues me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter, i cili goditi jugun e vendit të hënën e kaluar, po përhapen në Twitter.
Fotot tregojnë ndërtesa që kanë “ngrënë” makinat që ishin parkuar pranë tyre. Kati i poshtëm i ndërtesës u shemb si një petull dhe katet e sipërme ranë mbi makina.
“Xhami në ndërtesë mbeti i paprekur. Rezulton se xhami është më i fortë se struktura e poshtme”, shkroi një përdorues në Twitter.
Paqëndrueshmëria dhe ndërtimet joadekuate të ndërtesave të vjetra çuan në shkatërrime të mëdha në tërmet. Videot e qyteteve pranë epiqendrës së tërmetit tregojnë një formë shkatërruese shembjeje, të cilën disa e quajnë si mbytje. Kjo ndodh kur e gjithë ndërtesa shembet, ku secili kat bie njëri mbi tjetrin në mënyrë që të duken si “petulla” në një pjatë. Shanset për të mbijetuar në ndërtesa të tilla që shemben janë minimale, shkruan Deutsche Welle.
“Ndërtesat e larta me këtë lloj shkatërrimi janë ndoshta të vjetra dhe kanë ndërtime të buta”, thotë Mehdi Kashani, profesor i asociuar i ndërtimit dhe sizmologjisë inxhinierike në Universitetin Britanik të Southampton.
Ndërtesat me kate të buta kanë korridore me dritare, dyer të gjera dhe hapje të tjera në vendet ku duhet të ketë një mur të fortë dhe mbajtës në mënyrë që ndërtesa të përballojë një tërmet. Kur njëri prej këtyre korridoreve ndodhet në një nga katet e poshtme, prishja e tij mund të rrëzojë të gjithë strukturën e ndërtesës.
Edhe pse disa ndërtesa përgjatë kufirit turko-sirian në zonat e prirura nga tërmeti u ndërtuan për t’i bërë ballë tërmeteve shkatërruese, shumica u ndërtuan përpara se të krijohej “ndërtimi sizmik”. “Parimet bazë të ndërtimit, që mbrojnë ndërtesat nga tërmetet e forta, filluan të zhvillohen në vitet 1960-70.