Vajza e mitur e moshës 11-vjeçare në Prishtinë gjatë ditëve të muajit qershor ka përjetuar tmerrin, duke u keqpërdorur seksualisht nga tetë persona. Ndaj këtyre të fundit tashmë është ngritur aktakuzë dhe ata akuzohen për disa vepra penale, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka siguruar ekskluzivisht aktakuzën e ngritur kundër Driton Rrahmani, Gëzim Sadiku, Blendin Sadiku, Behlul Rrahmani, Egzon Sadiku, Muhamet Restelica, Flamur Sadiku dhe Muhamet Sadiku, të cilët dyshohet se qershorin e vitit të shkuar kanë endur dorë më dorë të miturën, duke e dhunuar seksualisht, ani pse ajo kishte vetëm 11 vjet.
Të gjitha këto akte të tmerrshme dyshohet se i kanë kryer në disa motele në komunën e Obiliqit.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për motel ‘Covana’ në Milloshevë, motel ‘Europa’ në Shkabaj, ‘Villa Green’ dhe motel ‘Shpati’ në Shkabaj.
Ky është një tjetër dështim i shtetit, pasi që motelet që frekuentohen për pushim dhe fjetje, e të cilat në shumë raste janë strehë e përdhunimeve dhe keqpërdorimeve seksuale, nuk mbikëçyren as kontrollohen nga askush.
Prandaj funksionimi në një mënyrë të tillë, ku asnjë prej punonjësve të këtyre bizneseve nuk e pyet klientin për moshën që ka, është një indikator që veprat e tilla të tmerrshme të përsëriten.
Por si dyshohet që kishte filluar e gjithë ngjarja? Sinjali iu sjellë më poshtë të gjitha detajet ekskluzive nga dëshmia e vajzës së mitur
Vajza e mitur e klasës së gjashtë kishte filluar që të ketë qasje në të gjitha rrjetet sociale. Nëpërmjet këtyre platformave, në moshën 10-vjeçare ajo kishte filluar komunikimin me persona të ndryshëm të moshave madhore 20-25 vjeçarë. Pos bisedave me ta, e mitura kishte aranzhuar takime me këta persona, të cilët edhe pse dinin moshën e saj të vogël dhe se kishin të bënin me një fëmijë që nuk është në gjendje të japë pëlqimin e saj për krijimin e një raporti intim, nuk kanë hezituar që të shfryejnë epshin e tyre seksual.
I pari që dyshohet të ketë filluar keqpërdorimin me vajzën e mitur, është Behlul Rrahmani, 32-vjeçar, i cili ndodhet në paraburgim që nga 13 shtatori i vitit të shkuar.
Rrahmani dhe vajza e mitur takimet i aranzhonin te Pallati i Rinisë në Prishtinë, për të vazhduar më pas në motele, ku kanë kryer marrëdhënie seksuale disa herë.
Pas Behlulit, një tjetër person kishte tentuar që ta dhunojë të miturën, mirëpo e njëjta ka refuzuar që të ketë kontakt intim me të. Bazuar në dëshminë e viktimës të cilën e ka siguruar ekskluzivisht Sinjali, takimet kanë vazhduar me të dyshuarin tjetër, Driton Rrahmani.
Ditën e 21 qershorit të vitit 2022, Dritoni ishte takuar me të miturën të cilën më pas e ka dërguar në motelin ‘Covana’ në Milloshevë, ku pasi ka kryer aktin seksual me të, u ka aranzhuar ‘dostave’ të tij takime me të njëjtin qëllim, që ta keqpërdorin seksualisht 11-vjeçaren.
Sipas aktakuzës, Blendini ka shkuar në Milloshevë dhe më pas e ka marrë vajzën me veturë dhe kanë shkuar në motelin ‘Villa Green’, ku po ashtu kanë kryer marrëdhënie seksuale. Pas Blendinit, është paraqitur kushëriri i tij Gëzimi, i cili e ka marrë vajzën dhe janë nisur në drejtim të motel ‘Europa’ në Obiliq.
Në motel ‘Europa’ dyshohet se e dërgoi edhe i dyshuari tjetër, Muhamet Sadiku, i cili ishte njoftuar me të miturën përmes të dyshuarit, Egzon Sadiku.
I dyshuari tjetër, Muhamet Restelica, që arriti të takohej me të miturën nëpërmjet Flamur Sadikut, në orët e vona të 21 qershorit e ka marrë me veturën e tij dhe më pas kanë shkuar në motelin ‘Shpati’ në Shkabaj, ku kanë kryer marrëdhënie seksuale.
Vlenë të ceket që identifikimi i të dyshuarve është bërë nga vetë e mitura, e cila ndonëse nuk i njihte me emra dhe mbiemra, por vetëm me nofka, ka arritur që përmes përshkrimit të dukjes fizike t’i vë në prangat të dyshuarit për keqpërdorimin seksual ndaj saj.