Edhe pse presioni ndërkombëtar po rritet, veçanërisht ai amerikan, autoritetet shqiptare në Tiranë ende nuk kanë dhënë një qëndrim publik në lidhje me kërkesat për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.
Ndonëse kryeministri i Shqipërisë Edi Rama rrallë herë është rezervuar t’i komentoj zhvillimet në Kosovë, ashtu edhe siç bën homologu i tij Kurti në raport me Shqipërinë, Ramën nuk e kemi parë me një qëndrim të qartë rreth situatës politike në ven e cila po merr tempo të shtuar për shkak të Asociacionit.
Heshtja e Tiranës vjen në një kohë kur situata në rajon po bëhet gjithnjë e ndërlikuar dhe autoriteteve në Kosovë bëhet presion për një angazhim që të ndërmarrë hapa konkretë për të adresuar çështjen e Asociacionit.
Derisa javët e fundit qartazi raportet e lidershipit kosovar me zyrtarët e ShBA-së kanë pësuar krisje, për shkak të kundërshtimit të Kurtit kundër Asociacionit, kryeministrin shqiptar ende nuk e kemi parë me një qëndrim rreth kësaj situate, ndonëse në Kosovë, e sidomos nga Lëvizja Vetëvendosje, qëndrimi i Tiranës determinohet si përmbushje e përgjegjësisë.
Çfarë deklaronte Edi Rama më herët?
Pas zhvillimeve të vitit të kaluar në veri të vendit, kishte pasur edhe reagim nga ana e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Përmes një postimi në Twitter, Rama i kërkonte Kosovës themelimin e Asociacionit, ndonëse thoshte se e kupton pozicionimin e Kosovës si vend sovran.
“Autoritetet e Kosovës janë në të drejtën e tyre të kenë rezerva për Asociacionin e Komunave Serbe dhe unë e mirëkuptoj këtë! Por i mirëkuptoj edhe aleatët kur e kërkojnë këtë me “forcë”! Prandaj duhet kërkuar një DIALOG I PALODHUR me Serbinë për të mos humbur edhe aleatët” kishte shkruar Rama.
Madje, Rama i kishte dhënë mbështetje edhe planit planin franko-gjerman.
“Po e ndjekim me vëmendje të madhe e shqetësim të vërtetë situatën e acaruar në Kosovë dhe bashkohemi me qëndrimet e aleatëve tanë strategjikë. Ndërkohë që mbështesim plotësisht idenë themelore të Planit Franko-Gjerman bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje dhe dialog” thoshte Rama.
Hesht edhe opozita në Shqipëri
“Unë jam kosovar, Tropoja është absolutisht pjesë etnike e asaj që quhet Kosovë”, thoshte në një deklaratë lideri i Partisë Demokratike, i cili në Kosvovë përgjithësisht gëzon një simpati.
Mirëpo, deri më tani as Berisha nuk ka pasur ndonjë qëndrim rreth ritmit politik në Kosovë.
Ndërkaq, sikurse Rama, edhe Berisha kishte komentuar zhvillimet e fundvitit të kaluar në veri të Mitrovicës.
Ish-kryeministri i Shqipërisë thoshte se situata në veri ishte skenar i rrezikshëm dhe destabilizues, që sipas tij arkitekt kryesor kishte presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që sipas tij vinte në kohën kur Bashkimi Evropian, Franca dhe Gjermania, të mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin paraqitur një plan për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.
Së këndejmi, Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është një çështje që ka shkaktuar debat dhe diskutime të ashpra edhe vende tjera të rajonit.
Abazoviq në mbështetje të Kurtit
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i ka dalë në mbështetje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
Ai ka deklaruar se Asociacioni nuk duhet të krijohet në baza etnike.
I pyetur në lidhje me mendimin e tij për Kurtin, theksoi se për të ka mendim pozitiv, madje shtoi se ka edhe simpati për luftën e tij kundër korrupsionit. Më tej veçoi se mbështet qasjen qytetare të Kurtit në Kosovë, sidomos në lidhje me problemet aktuale me të cilat po përballet. Abazoviq tha se e përkrah idenë e Kurtit në çështjen e asociacionit të komunave serbe, e cila sipas tij, nuk duhet të jetë e përkufizuar në baza etnike, pasi kjo pasi do shtonte përçarjet dhe do thellonte ndasitë.
Ai përfundoi se ‘në Kosovë nuk mund të ketë komuna të cilat janë serbe apo shqiptare’, pasi ato të gjitha janë të barabarta si komuna të cilat u takojnë qytetarëve pa dallim. Sipas këtij arsyetimi, kjo qasje e Kurtit është pozitive për rajonin.
Dritan Abazoviç ka ofruar pikëpamjet e tij politike mbi situatën në Ballkan dhe në Mal të Zi.
Sipas tij, retorika nacionaliste në ish-Jugosllavi, sidomos në Mal të Zi, shërben si maskë apo mbulojë e agjendave dhe interesave personale. Po ashtu përkujtoi se Mali i Zi është shtet multietnik dhe multifetar, pa grup homogjen, dhe në një shoqëri të tillë të drejtat duhet t’u garantohen të gjithëve në mënyrë të barabartë. Aq më shumë dikush si ai – një politikan që etnikisht i takon minorancës shqiptare- duhet të punojë në favor të barazisë së të drejtave.