Mbi 150 minatorë të minierës së Kishnicës kanë hyrë në grevë që nga mëngjesi i kësaj të marte, pasi duan nivelizim të pagave sikur minatorët e “Trepçës”, raporton Gazeta10.
Minatori Albert Zymberi për Klankosova.tv tha se greva e nisur në mëngjes do të vazhdojë deri në orën 15:30, kur edhe përfundon puna, për të vazhduar sërish ditët në vijim.
“Mbi 150 minatorë nga sot në orën 08:00 kemi hyrë në grevë deri në orën 15:30 për të vazhduar njësoj edhe ditët në vijim. Nivelizimi i pagave sikur minatorëve të ‘Trepçës’ na u është premtuar nga 1 janari dhe nuk u realizua. Kjo u bë shkak për fillimin e grevës”.
“Ne jemi duke qëndruar nëpër vendet e punës, por jemi në grevë”, tha ai.
Tutje, ai tha se greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesa të minatorëve dhe se nivelizimi i pagave s’është kërkesa e vetme.
Zymberi, mes të tjerash, tha se edhe ndalesa e parave për shujtën ditore u bë shkak për grevë, pasi sipas tij marrëveshja ishte ndryshe.
“Pos nivelizimi të pagave premtim nga menaxhmenti ka qenë edhe hapja e mensës, por tashmë ka filluar ndalimi i 90 eurove nga paga për shujtat teksa marrëveshja ishte që paratë për ushqim të mos ndalen nga pagat”, tha Zymberi.